Saturday, November 23, 2024

Futboll-Kategoria e parë, komentatori i njohur koplikas Bashkim Ramekaj kërkon një stadium për Veleçikun

Lexo

Veleçiku i Koplikut vazhdon të vuajë prej disa vitesh mungesën e një stadiumi, gjë që e detyron atë që ndeshjet në shtëpi të Kampionatit Kombëtar të kategorisë së parë  ky ekip t’i luajë në fushën sportive “Reshit Rusi” të Shkodrës. Për gazetarin dhe komentatorin e njohur sportiv të Koplikut, Bashkim Ramekaj, krahas të tjerave, mungesa e stadiumit ka dhënë një ndikim jo të vogël në rezultatet modeste që ka regjistruar gjatë periudhës së fundit Veleçiku.

“Një ekip, kur nuk ka një fushë, kur nuk ka një stadium, kur nuk ka një impiant sportiv, është e vështirë për të mbijetuar. Siç e keni ndjekur edhe juve, gjatë sezoneve të fundit Veleçiku i zhvillon ndeshjet në fushën sportive “Reshit Rusi”. Kanë qënë tre sezone shumë të vështira për ekipin e Veleçikut, ku vetem në fund me ndeshjet shtesë kemi arritur të mbijetojmë në kategorinë e parë., thotë kolegu Ramekaj.

Sidoqoftë, në vijim të intervistës dhënë për Veriu Sport, komentatori sportiv Bashkim Ramekaj shprehet optimist për të ardhmen e Veleçikut, dhe këtë e lidhë me premtimin që i është bërë tifozëve koplikas për ndërtimin e një stadiumi bashkohor në qytetin e Koplikut.

“Gjithësesi, kemi shpresë dhe besim tek kryebashkiaku Tonin Marinaj, i cili ka marrë përsipër ndërtimin e një stadiumi në Koplik, për të cilin edhe projekti është gati. Dhe, nëse bëhet realitet një gjë e tillë, situata tek Veleçiku do të ndryshojë për mirë në mënyrë të padiskutueshme. E them këtë, pasi pasioni për futbollin në Malësinë e Madhe është mjaft i madh, po ashtu edhe talentet nuk mungojnë. Mjafton të përmendim këtu emra të tillë si Bekim Balaj dhe Elseid Hysaj, futbollistë të kombëtares, madje ky i fundit edhe kapiten, për të vertetuar se kjo zonë ka elementë të talentuar që nëse kanë kushtet e duhura të infrastrukturës sportive, mund të bëhen emra të mëdhenjë në fushën e futbollit.”, thotë Ramekaj.

Ndërkohë, duke folur për përformancën e Veleçikut në kampionat, Ramekaj vlerëson fitoren në javën e fundit ndaj Vorës në “Reshit Rusi”. “Ndaj Vorës ishte një fitore e merituar dhe një tre pikësh që e kërkonim patjetër. Meritë për këtë ka Banushaj që shënoi një gol mjeshtror nga goditja standarte, ndërkohë që ishte shumë pranë edhe një goli tjetër po me anë të goditjes standarte. Duhet thënë se kishim edhe mungesat e sulmuesit kryesor Ujka dhe të Begës i skualifikuar me kartonë të verdhë. Edhe në transfertë me Orikumin kemi luajtur mirë dhe kishim mundësi ta fitonim ndeshjen, dhe vetëm me një gjuajtje standarte e kemi humbur ndeshjen. Për javën e 8-të kemi një ndeshje të vështirë në transfertë me Partizanin B, por me formën shumë të mirë sportive që ka skuadra në ndeshjet e fundit, Veleçiku i drejtuar nga trajneri Ardi Rrustemaj do të marrë rezultat pozitiv në Tiranë”, përfundon intervistën për Veriu Sport, komentatori i njohur sportiv nga Kopliku, Bashkim Ramekaj.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img