Fitorja e Egnatias me Vllazninë – “Nuk ka skuadra që mund të dominojnë, nuk ka diferenca. Vllaznia ka treguar oshilacione edhe përpara Egnatias. Sigurisht që mori pikë me Kukësin apo Tiranën, por duhet të nxjerrësh mësime. Nuk mund të shkosh në Rrogozhinë me të njëjtën formë. Egnatia e mundi me lojë dhe me karakter, e mundi me të gjitha. Vllaznia është një skuadër e lehtë kur luan jashtë Shkodrës, e mund kollaj. I vetmi që e karikonte skuadrën në këto vitet e fundit mendoj se ishte Brdariç”, u shpreh ndër të tjera specialist i futbollit në emisionin “Rubrika Sportive” në RTSH,.
Surpriza Erzeni – “Natyrisht që fitorja është shumë e rëndësishme për Erzenin, nuk pritej. E kam thënë edhe më parë, por nuk e kanë pranuar, por unë e them prapë: Partizani nuk mund të luajë në atë mënyrë. Nuk mund të luash me Skukën të lokalizuar vetëm pak nga e djathta, i duhet më shumë hapësirë. Ekipi është i lexueshëm. Me lojtarët që ka, nuk ka përse ta ndërlikojë. Të tre sulmuesit në aspektin mbrojtës nuk ndihmojnë, janë mangët, i sjellin probleme skuadrës. Unë them që kanë mundësi të rregullojnë lojën, kanë potencial. Erzeni, skuadër kompakte, shumë e organizuar. Luajnë në grup, zbresin me logjikë në sulm. Një skuadër e thjeshtë, por e karikuar në maksimum. Me Partizanin dhanë më shumë se maksimumin dhe e fituan ndeshjen”.
Barazimi mes Kastriotit dhe Tiranës – “Tirana akoma nuk është kolauduar mirë, të vjen keq për këtë. Shikoj paqartësi, mbrojtësa që luajnë në sulm dhe sulmuesa që luajnë në mbrojtje. Por ka potencial aty, reparti i mbrojtjes të ngroh. Mesfusha ka eksperiencë. Kallaku doli përsëri në origjinë, doli në lojën e kalçetos. E kam thënë edhe më parë, ke Tirana duhet të dish se ku luan. Ai ka shumë cilësi, por skuadra do të fitojë. Kastrioti më pëlqeu për përbërjen që ka, ka agresivitetin por ka dhe cilësi”.
Fitorja e ballshiotëve – “Laçi është në një moment të vështirë, nuk ka potencial, nuk ka agresivitet. Është dhe i paorganizuar si kolektiv. Bylisi një skuadër e organizuar mirë në të dy aspektet e lojës, dilte në sulm me logjikë. Mori një fitore të merituar. Mund të them se ka lojtarë interesant”.
Teuta krijoi, por… “Një ndeshje që filloi e ekuilibruar, deri në momentin që u dha kartoni i kuq për lojtarin e Kukësit. Më pas çdo gjë foli për Teutën. Krijuan shumë, por nuk shënuan. Jemi mësuar të shikojmë që Teuta ka krijuar pak, por në këtë ndeshje krijoi shumë”.