Sezonin e kaluar futbollistik, braziliani Viktor Da Silva ishte pjesë e Vllaznisë së Shkodrës dhe kosovari nga Prizreni, Esat Mala, pjesë e Partizanit. Që të dy futbollistë cilësor dhe titullar në skuadrat e tyre, por me dëshirën e tyre ato pranuan ofertat e klubeve përkatëse, Da Silva për të kaluar me Partizxani dhe Mala tek Vllaznia.
Nesër, ato do të jenë në formacionet e skuadrave të tyre për sfidën e javës së shtatë të Superiores, Vllaznia-Partizani. Pyetjes së bërë trajnerit Mirel Josa, se cili prej tyre do të vendosë fatin e ndeshjes së nesërme, tekniku kuqeblu, i përgjigjet:
“Nuk më intereson shumë të flas për individë. Da Silva është lojtar që ka dhënë kontributin e tij te Vllaznia për dy vite. Edhe gjatë kohës kur unë isha në drejtimin e skuadrës, ku gjatë dy javëve ne zhvilluam tre ndeshje, dy në kampionat dhe një finale Kupe, Da Silva ishte lojtar formacioni. Ai bëri zgjedhjen e tij, klubi bëri zgjedhjen e vet, që shkoi te Partizani më vonë dhe që para Partizanit shkoi një periudhë në Qipro. Kështu që Da Silvës i urojë suksese kudo që të shkojë. Tani qëlloi që të ishte me Partizanin. Kurse për Malen, kur më erdhi mundësia për ta marrë, e kam marrë pa u menduar dy herë. Pozitiv është fakti që Mala po jep me skuadrën tonë që nga momenti i parë dhe është integruar ashtu siç duam ne. Është djalë që, aftësitë që ka treguar, qoftë me Partizanin, qoftë në Kosovë, i ka treguar cilësitë që ka. Kjo nuk do të thotë që unë i pres të gjitha nga Esati, unë pres nga e gjithë skuadra ime, që të bëj më mirë se në ndeshjen në Durrës”, theksoi Josa për duelin, Da Silva-Mala, i cili mund të jetë përcaktues për fatin e sfides, Vllaznia-Partizani.