Tuesday, November 26, 2024

(Intervista) Ish administratori i Vllaznisë Kujtim Shaba, analizon ecurinë e kuqebluve në këto 10-të javë kampionat. Kritika për oshilacionet, por edhe për vlerësime, sidomos për promovimin e elementit të ri

Lexo

Kujtim Shaba, ish-administrator i Vllaznisë dhe një ish-fitues i Kupës si lojtar në vitin e largët 1986 me fanellën kuqeblu ka folur për oshilacionet e Vllaznisë dhe për atë që e pret në të ardhmen këtë skuadër. Në një intervistë për “Panorama Sport” Shaba ka dhënë mendimin e tij edhe për afrimet e bëra si dhe për dëmtimet që kanë ndikuar jo pak te rezultatet. Pozitive sipas tij është fakti se drejtuesit po i japin hapësirë edhe elementit të ri.

Si e komentoni barazimin ndaj Erzenit?

Logjikisht ekipet që vijnë nga Kategoria e Parë në Superiore, kërkojnë që të bëjnë më të mirën ndaj ekipeve me emër. Por ky kampionat po tregon se nuk ka ekipe që do të quhen të vogla. Erzeni e bëri më së miri punën e vet në takimin ndaj Vllaznisë dhe mori atë që kishte ardhur për të marrë.

Pse ndodh që ekipi tërhiqet në momentet e fundit, këtë gjë e kemi vënë re te disa takime?

A tërhiqet ekipi vetë apo kërkon stafi që të tërhiqen dhe të dalin me kundërsulm, këtë nuk e di. Nëse ekipi tërhiqet vetë duhet që të jetë trajneri ai që duhet të kërkojë llogari për këtë tërheqje. Kjo më habit se nuk është hera e parë që po ndodh te Vllaznia. Për mua po i bëjnë një keqmenaxhim të lojës.

Po pozitive, çfarë shikoni te Vllaznia?

Te Vllaznia, pozitiv është fakti se po fitojnë lojtarë të rinj këtë sezon. Në një klub duhet që të ndahen përgjegjësitë e drejtorit dhe trajnerit. Kush i ka sjellë këta lojtarë dhe kush i pranoi më pas në ekip. Sa kanë ndikuar mungesat te këto paraqitje? Disa prej lojtarëve kanë qenë të dëmtuar dhe për mua këto mungesa kanë pasur ndikim te paraqitja e Vllaznisë. Latifi është një lojtar me vlera. Po ashtu edhe Boshnjaku. Ndërsa kanë ndikuar se edhe sulmuesit nuk janë ku duhet.

Cilët kanë qenë afrimet e merkatos ku Vllaznia ka goditur dhe me kë ka dështuar?

Për mua janë Esat Mala dhe Boshnjaku. Pjesa tjetër e lojtarëve për mua nuk kanë vlerë. Nuk e kemi luksin që të mbajmë lojtarë 5 mijë eurosh në muaj si Vulaj. Për mua me këtë shumë duhet që të ishte marrë një lojtar me më shumë vlera. Duhet që të ndërhyhet edhe te qendra e mbrojtjes. Ato as nuk bëjnë mirë qendrën dhe as nuk fitojnë asnjë top me kokë.

Por sipas mendimit tuaj, çfarë duhet që të bëjë më mirë ekipi shkodran këtë sezon?

Ka shumë rëndësi se çfarë do të bëjë Vllaznia tani, dhe jo çfarë ka kaluar. Duhet të shikojë çfarë ka përpara dhe sidomos këto 3-4 takimet e ardhshme, të cilat janë shumë të rëndësishme. Duhet stabilitet rezultatesh pozitive që të dalësh nga kriza sepse po ndodhi e kundërta arrin dhe futesh në një krizë më të thellë. Po u larguan tri apo katër ekipe përpara atëherë do ta kemi të vështirë që të kapet ritmi.

Si e shikoni përballjen e radhës me Kukësin?

Me Kukësin kam besim se do ta kalojmë me një fitore. Ndërsa më frikë kam ndeshjen me Tiranën, e cila është në formë dhe Egnatian në Shkodër.

Janë luajtur 10 javë kampionat deri tani, në syrin tuaj me aq sa keni ndjekur, kë skuadër shikoni pretendente serioze për të fituar Superioren?

Është ende herët për të folur. Po shikojmë se nuk ka ekipe të vogla dhe ekipe të mëdha. Nuk po shikoj që ka disnivele. Por ndoshta në fazat e tjera të kampionatit edhe loja jashtë fushe mund të ketë ndikimin e vet. Po ta shikojmë, Vllaznia aq pikë sa ka diferencë me vendin e parë, po aq ka edhe me vendin e 9-të në renditje. Pra katër pikë shkon në vend të pare dhe katër pikë më pak shkon në vendin e nëntë. Për këtë e thashë edhe më lart se katër takimet e ardhshme kanë të bëjnë shumë për Vllazninë.

Admir Uruçi

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img