Klasikja e futbollit shqiptar, Tirana-Vllaznia, e cila ka startuar në orën 13.45 në stadiumin “Selman Stermasi” të kryeqytetit, sapo ka mbyllur 45 minutat e para të kësaj sfide. E konsideruar si më e rëndësishmja për javën e 12-të të kategorisë Superiore të futbollit shqiptar, ajo është shoqëruar me faza interesante, ku fillimisht ishin kuqeblutë që iu ofruan shumë pranë golit të avantazhit me atë gjuajtje të vlonjatit Ardit Hoxhaj, topi i të cilit goditi shtyllën e majtë pingule të portjerit vendas Bekaj dhe më pas u rikthye në fushën e lojës. Në vijim, skuadra bardheblu erdhi duke e rritur nivelin e lojës së saj, dhe në 13-tën minutë gjen golin e avantazhit me autor Ernes Muçin, një nga më të mirët e skuadrës kryeqytetase. 1 me 0 për Tiranën dhe tashmë skuadra e drejtuar nga Nevil Dede është më e qetë në fushën e lojës. Madje, edhe pse për disa minuta presioni i Vllaznisë për të gjetur golin e barazimit e detyroi të tërhiqej prapa, në vazhdimësi, vendasit patën përsëri shansin të shënonin me të njëjtin protagonist, Muçin, por këtë radhë është portjeri Zogoviç që nuk lejon prekjen për herë të dytë të rrjetës së tij.
Pas një shtesë prej 60-të sekondash, vjen vërshëllima e gjyqtarit kryesor Enea Jorgji që mbyll pjesen e parë duke mbajtur në fuqi rezultatin, Tirana 1 dhe Vllaznia 0.
Në këtë pjesë të parë, trajnerët, Nevil Deda për Tiranën dhe Thomas Brdariç për Vllazninë, hodhën në fushë këto formacione:
Tirana: Bekaj; Toshevski, Najdovski, Hoxhallari; Halili, Toli, Batha, Ismajlgeci; Torasa; Muçi, Danso. Trajner: Nevil Dede
Vllaznia: Zogoviç; Gurishta, Adili, Imami, Isaevski; Marku, Krymi, Jonuzi; Imeri; Dilaver, Hoxhaj. Trajner: Thomas Brdariç.