Futbollisti i kombëtares së Shqipërisë, Elseid Hysaj mund të largohet nga Lazio. Mediat italiane janë të bindura se shkodrani Hysaj është në prag të mbylljes së bashkëpunimit me kluibin lacial. Mbrojtësi shqiptar këtë sezon në Seria A ka nisur vetëm tre ndeshje si titular (Cremonese, Monza dhe Sassuolo) dhe për këtë motiv mendohet se e ardhmja e tij është larg “Olimpico”-s. Megjithatë, sot në Reggio Emilia Lazio mundi 2-0 ekipin e Sassuolo-s duke iu afruar edhe më shumë vendit të katërt. Në këtë takim Hysaj luajti për 90’ dhe mori një karton të verdhë në të 65’.
Corriere dello Sport informon se 28-vjeçari ka disa oferta nga klube që militojnë jashtë Italisë edhe pse për momentin nuk përmenden emra konkrete. Sipas gazetës në fjalë Lazio është e gatshme që të privohet nga shërbimet e Hysajt me qëllim që të arkëtojë para për të investuar në merkaton verore.
Në vigjilje të ndeshjes që Lazio luajti sot përballë Sassuolo-s në Reggio Emilia ishte trajneri i Lazio-s ai që i doli në krah Hysajt. I kritikuar shumë për barazimin dramatik që mori klubi roman përballë Empoli-t një javë më parë, Hysaj ka qenë në qendër të vëmendjes. Për këtë çështje ndërhyri edhe Sarri duke thënë: “Vitin e kaluar luajti mjaft mirë, por më pas kaloi shumë vështirësi. Mendoj se ata që e kritikojnë për atë që ndodhi të dielën e kaluar them se gabojnë. Ai kishte më pak faj nga të gjithë”.