Në barazim me rrjeta të paprekura 0 me 0 është mbyllur pjesa e parë ndeshjes, Vllaznia-Teuta, e cila ka startuar që prej orës 18.00 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Reshjet e dendura të shiut të rënë gjatë të gjithë javës në qytetin verior, por edhe panorama e përgjithshme që të ofronte nga sipër impianti i stadiumit të Shkodrës, krijoi përshtypjen se terreni do të rëndohej duke krijuar probleme për cilësinë e lojës. Por, nuk ndodhi ashtu, sepse, të paktën për këtë pjesë të parë, impianti gjigant i “Loro Boriçit” tregoi edhe një herë se është më i miri aktualisht në Shqipëri, gjë që i dha mundësi të dyja skuadrave të jepnim më të mirën e tyre në fushën e lojës..
Për atë që u pa në fushën e lojës, duhet pranuar se Vllaznia ishte skuadra që dominoi totalisht në 45 minutat e para. Me përjashtim të minutave të para të lojës ku durrsakët e drejtuar nga trajneri shkodran Edi Martini u shfaqën të rrezikshëm në zonën kuqeblu, pjesa tjetër e këtij 45 minutësh ka qënë e tëra për vendasit. Djemtë kuqeblu të drejtuar nga trajneri Brdariç kanë këmbëngulur gjatë për të gjetur golin e avantazhit. Duke e spostuar lojën për minuta të tëra në gjysëmfushën e miqve, rastet për shënim ishin të njëpasnjëshme, madje në një prej tyre goditja Brenda zonës e boshnjakut Haris Dilaver u pengua nga pingulja e djathtë e portës së mbrojtur nga Frashëri.
Me shifrat në fuqi, 0 me 0, gjyqtari kryesor i ndeshjes, fieraku Kreshnik Cjapi e ka mbyllur këtë pjesë duke i çuar skuadrat në dhomat e zhveshjes për pushimkin 15-të minutësh. Ndërkohë, për të mësuar verdiktin e kësaj ndeshje, e cilësuar si kryesfida e javës së 13-të, duhen pritur edhe 45 minutat e dyta për të parë se si do ta interpretojnë lojtarët dhe trajnerët e tyre këtë pjesë të dytë.