Friday, April 26, 2024

Spektakël më Shkodër, Vllazni e bukur, kuqeblutë mundin Teuten dhe nisin “fluturimin” drejt titullit kampion

Lexo

Vllaznia – Teuta 1:0 (Shënues: Ardit Hoxhaj 59′)

E premte 8 janar 2021, 0ra 18.00, stadiumi “Loro Boriçi” Shkodër  

Vllaznia: Zogoviç, Gurishta, Adili, Imami, Isaevski, Krymi, Marku, Jonuzi, Imeri(88’ Albion Avdiaj), Hoxhaj, Dilaver(80’ Arsid Kruja). Trajner: Thomas Brdariç.

Teuta: Frashëri, Pjeshka(79’ Rubin Hebaj), Hoxha, Arapi, Kuros, Aleksi(64’ Gruda), Karabeci(64’ Avdyli), E. Vila, L. Vila(74’Kapllani), Bregu, Krasniqi. Trajner: Edi Martini

Gjyqtar: Kreshnik Cjapi(Fier), Ilir Tartari, Nuri Rrapaj, Eldorian Hamiti. Delegat: Alban Tafaj, Vëzhgues: Albano Janku

Viti 2021 ka nisur në mënyrën më të mirë për Vllazninë. Në cilësinë e kampionëve të dimrit, kuqeblutë dhuruan spektakël përballë Teutës së Durrësit, sfidë kjo e luajtur mbrëmjen e së premtes në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës për llogari të javës së 13-të të Superiores së futbollit shqiptar.  Dueli pritej të ishte shumë interesant për vetë faktin se në fushë luanin dy skuadrat e para të kampionatit, Vllaznia e vendit të parë me 26 pikë dhe Teuta e dyta me 20 pikë. Nisur nga deklaratat në kampin durrsak që synonin fitoren tre pikëshe dhe rihapjen e kampionatit, pritej një Teutë aggressive. E cila, në fakt me atë çfar shfaqi në minutat të para të lojës ku durrsakët e drejtuar nga trajneri shkodran Edi Martini rrezikuan jo pak në zonën kuqeblu, u duk se do t’ia bënin të vështirë situatën Vllaznisë. Por, vetem kaq, se pjesa tjetër e këtij 45 minutësh ka qënë e tëra për vendasit me një epërsi totale e kuqebluve, të cilët krijuan një volum të madh loje duke e detyruar kundërshtarin të tërhiqej në gjysëmfushën e vetë. Djemtë kuqeblu të drejtuar nga trajneri Brdariç kanë këmbëngulur gjatë për të gjetur golin e avantazhit ku rastet për shënim ishin të njëpasnjëshme, madje në një prej tyre goditja brenda zonës e boshnjakut Haris Dilaver u pengua nga pingulja e djathtë e portës së mbrojtur nga Frashëri.

Pjesa e dytë

0 me 0 mbyllet pjesa e parë, ndërkohë që me rikthimin në fushë për 45 minutat e dyta, Vllaznia vijon ta kërkojë golin e avatazhit, të cilin e gjen shumë shpejt. 14 minuta nga starti i së dytës, është Ardit Hoxhaj, trashmë i zakonshmi i golave të Vllaznisë që pas një aksioni model me disa pasime të kuqebluve e dërgon topin në rrjetën e portjerit durrsak Frashëri. Gëzimi i Ardit Hoxhajt nuk është e thënë të zgjasë shumë, pas gjashtë minuta pas golit të shënuar prejt tij, një ndërhyrje e ashpër me taka në këmbët e mbrojtsit të Teutes Denis Pjeshka e detyron arbitrin t’i tregojë kartonin e kuq. Kjo i përket minutës së 65-të kur Vllaznia mbetet me një futbollist më pak në fushën e lojës. Teuta kërkon të përfitojë, madje trajneri Martini hedh në fushë forca të reja me dy emra potent si Kapllani dhe Hebaj, prej të cilëve kërkohej goli. Por, për hirë të së vertetes, në lojën e durrsakëve nuk ka asnjë ndryshim duke konfirmuar kështu një nga prezencat më të dobëta të kësaj skuadre në “Loro Boriçi”.

Nga ana tjetër, formacioni kuqeblu, i freskuar tashmë edhe me aktivizimin e Krujës dhe mës pas edhe të blerjes më të re, jo vetem që dijnë të mbrohen mjaft mirë, por nga ana tjetër vijojnë të prodhojnë raste të tjera goli.

Mbyllja e ndeshjes

Përfundimisht, pasi kanë përfunduar edhe pesë minutat shtesë, gjyqtari kryesor i ndeshjes, fieraku Kreshnik Cjapi e ka mbyllur të gjithë ndeshjen, e cila fitohet me mjaft meritë nga skuadra kuqeblu me rezultatin 1 me 0. Një fitore kjo shumë e rëndësishme, e cila me tre tre pikëshin marrë direkt ndaj rivalit më të afërt, Teutes, i shkëputet atij tashmë me 9 pikë diferencë. Vlerat e skuadrës kuqeblu shtohen akoma më shumë kur kjo fitore u realizua përmes një lojë mjaft cilësore, ndoshta ndër më të mirat e Vllaznisë në këtë sezon futbollistik. Çka, të dyja së bashku, pikët kryesuese dhe loja cilësore, janë një garanci e plotë që Vllaznia të fluturojë drejt realizimit të objektivit të fitimit të titullit kampion.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img