Ndonëse një ekip debutues i këtij sezoni në kategorinë Superiore, në dy ndeshjet e fazës së parë dhe të dytë, Erzeni i ka marrë katër pikë Vllaznisë. Fitore 1-0 në javën e parë të kampionatit në “Niko Dovana”, dhe barazim 2-2 në “Loro Boriçi”. Javën e kaluar, shijakasit prezantuan një super ndeshje përballë Tiranës kryesuese, por në minutat e fundit të takimit u mundën nga dy episode me rezultatin 0-2.
Nga ana tjetër, edhe Vllaznia, pas një seri ndeshjes pozitive, javën e kaluar u ndal në Ballsh duke humbur me rezultatin 1-0. Ndaj, të dyja skuadrat do të futen në fushën e lojës me objektiv fitoren. Një fitore e Vllaznisë, duke përfituar nga humbja e Tiranës dje në Kukës, e shkurton diferencen me kreun në 3 pikë. Ndërkohë, një fitore e shijakasve, bën që të ketë rrokadë në tabelë me Vllazninë, së cilës i merr vendin e tretë që ka aktualisht.
Për Vllazninë, pas dy ndeshjeve si zëvendësues, blerja më e re e kuqebluve, Bekim Balaj pritet ta nisë nga minuta e parë. Por, krahas Balajt, një forcë më shumë pritet të ejtë edhe Latifi, i cili pas rikuperimit është i gatshëm në stol për të kontribuar për skuadrën kuqeblu.
Në prag të kësaj sfide shumë të rëndësishme, trajneri kuqeblu, Mirel Josa, pasi bën një analizë edhe të ndeshjes së kaluar, flet për pragsfidën, Erzeni-Vllaznia, por edhe për merkaton kuqeblu, përfshirë edhe mosakordin me shqiptaro-maqedonasin, Mevlan Adili, i cili tashmë është zyrtarisht futbollist i Bylisit.
A mund të themi se entuziazmi i tepërt ndikoi në humbjen ndaj Bylisit apo diçka tjetër?
Është e vërtetë që pas fitores ndaj Laçit kishte entuziazëm në skuadër. Por ndeshja ndaj Bylisit nuk u humb për këtë arsye. Kundër Bylisit humbëm sepse nuk u përqendruam në momente të veçanta. Ne do të duhej që në të dyja pjesët të ishim shumë më të kujdesshëm për të goditur ekipin e Bylisit. Nuk e bëmë dot, ky është problemi. Në përgjithësi skuadra ishte e kujdesshme, kishim edhe shpejtësinë e duhur për të hyrë në zonën kundërshtare, por u vendosëm në mënyrë të gabuar në momentin final brenda zonës së tyre.
Ajo ndeshje riktheu edhe problemet e dëmtimeve
Problemet e dëmtimeve nuk është se nuk i dimë. Ndeshjet janë shumë afër dhe është një periudhë e ngjeshur, por për ne është një problem që e kemi pasur të mbartur nga një periudhë më përpara. Rikuperuam Juriçin, por mendoj se e kemi futur më përpara se ç’duhet. Por rikthimet duhet që të bëhen në momentet e duhura. Problemet e dëmtimeve nuk vijnë nga stërvitja, por duhet që edhe lojtarët të jenë më të kujdesshëm.
Sa ndikojnë këto te skuadra?
Çdo skuadër ka problemet e veta. Për mua dëmtimet nuk ndikojnë fare. Unë do të doja që t’i kisha të gjithë të gatshëm, por çdo lojtar kur t’i jepet mundësia duhet që të japë atë që ka dhe unë për më tepër jam i kënaqur me impenjimin e këtyre lojtarëve. Nuk dua që të nxjerr asnjë alibi. Ne kemi humbur një ndeshje dhe të themi se skuadra nuk e vlerëson ndeshjen njësoj. Jo, skuadra e ka vlerësuar ndeshjen si gjithë ndeshjet e tjera, por edhe skuadrat e tjera duan pikë.
I kënaqur me atë që ka bërë ekipi në gjysmën e parë të kampionatit apo keni pritur më tepër?
Skuadra ka bërë mirë në gjysmën e kampionatit. Kishte shumë momente që duhet t’i shfrytëzonim më mirë, më së shumti për pikavarazhin që do të na jepte mundësi më të madhe për të shikuar më përpara. Por kemi marrë pikë në ndeshje të vështira në letër dhe kemi lënë pikë me skuadrat që në letër nuk ishin favorite.
Sot përballë Erzenit, një prej skuadrave që ende nuk keni fituar këtë kampionat. E treta e vërteta këtë here përballë shijakasve?
Nuk është problemi që nuk kemi fituar. Ne çdo ndeshje e përgatitim për ta fituar. Këtë kemi bërë edhe për këtë takim. Do të shikojmë për ta fituar ndeshjen, sepse kjo do të na japë përparësi për më lart.
A mund të quhet e mbyllur merkatoja vetëm me Balajn?
Unë ia kam lënë klubit lëvizjet e lojtarëve. Kemi bërë edhe orvatje të tjera për të marrë lojtarë dhe siç e keni thënë edhe ju, një ndër ta ishte edhe Adili, të cilit i është bërë ofertë nga klubi. Por nuk u realizua. Nëse del ndonjë gjë pozitive ditët e fundit, pse të mos vijë në skuadër dhe të jetë direkt për në fushë.
Çfarë ndodhi me Mevlan Adilin?
Palët nuk kanë rënë dakord dhe tani është një problem i mbyllur për mua.
Do të ketë ndryshime në formacion apo mënyrën e lojës ndaj Erzenit?
Ndryshime edhe mund të ketë. Kam thënë se këto javë kemi pasur ngjeshje të kalendarit. Ato mund të jenë të vogla, por duhet që të jemi të kujdesshëm. Nuk është e thënë se një lojtar nuk luan nesër dhe humb vendin në formacion. Problem është gatishmëria e lojtarëve që do t’u jepet besimi për të luajtur.
Luani përballë një ekipi që ka spikatur me lojën e bukur, do të jetë e vështirë për ju kjo përballje?
Shumë e vështirë. Jo vetëm Erzeni, të cilin e pamë ndaj Tiranës. Është një skuadër që luan me entuziazëm, por nuk është vetëm entuziazmi që kanë, por është një skuadër, e cila ka edhe cilësi brenda.