Mbrëmjen e djeshme janë luajtur dy gjysmëfinalet e para të Kupës së Shqipërisë në Volejboll për meshkuj, Partizani-Tirana dhe Vllaznia-Erzeni. Në derbin e kryeqytetit, fitues janë shpallur bardheblutë, të cilët arritën të fitonin me rezultatin 1-3, duke hedhur kështu një hap përpara drejt kualifikimit në finalen e Kupës së Shqipërisë.
Një ndeshje me emocione, por edhe me rivalitet ishte edhe ajo e luajtur në pallatin e sportit, “Qazim Dervishi” të Shkodrës, ku Vllaznia priti Erzenin e Shijakut, një skuadë kjo që prej vitesh ka krijuar një traditë të mirëfilltë në volejbollin e meshkujve.
Djemtë shkodranë të drejtuar nga trajneri Artan Kalaja dhe kolegu i tij, Ermal Kraja, e nisën mjaft mirë ndeshjen duke qënë në fragmente të setit të parë në kryesim të rezultatit. Por, pikët vendimtare nuk arritën të menaxhoheshin si duhet nga Vllaznia, dhe për këtë përfiton skuadra mike, e cila arrin ta fitojë setin e parë me rezultatin e ngushtë, 23-25.
Thuajse, me të njëjtën pamje ka vijuar edhe seti i dytë, i cili është kopje e të parit në të gjitha komponentët. Ndonëse kuqeblutë arrijtë të kryesojnë deri tek pika e 23-të, por pikërisht në këtë moment, volejbollistët shijakas të drejtuar nga trajneri, Parit Uruçi, tregohen më të vemendshëm, ku pas barazimit 23-23, janë ato që shënojnë edhe dy pikët e fitores së këtij seti.
0-2 me sete për shijakasit, të cilët duke pasur një moral më të lartë arrijnë të kontrollojnë edhe setin e tretë. Edhe pse, kuqeblutë këmbëngulin fort për ta fituar këtë set me idenë se mund të kthejnë ndeshjen dhe për ta çuar me set final, janë përsëri miqtë nga Shijaku që e fitojnë këtë set me shifrat 21-25, duke e fituar të gjithë ndeshjen me rezultatin 0-3.
Me këtë fitore të pastër në Shkodër, Erzeni është më pranë kualifikimit në finalen e Kupës së Shqipërisë. Megjithatë, duhet pritur ndeshja e kthimit, e cila do të luhet në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” të Shijakut, me datë 15 shkurt, pasi, Vllaznia ka treguar jo pak herë që ka arritur të përmbysë rezultate në transfertë, dhe të jetë ajo finaliste e Kupës së Shqipërisë.