Monday, November 25, 2024

(Intervista) Franja, e lumtur për karrieren e saj sportive. Kapitenia e Vllaznisë në futboll femra, premton fitimin e dy trofeve kombëtarë të vitit, dhe një ecuri pozitive në Europë.

Lexo

Esmeralda Franja, është futbollistja me një karrierë të pasur sportive, ku me të drejtë prej shumë vitesh mban shiritin e kapitenes së Vllaznisë duke e udhëhequr skuadrën kuqeblu në fitimin e nëntë titujve kampionë, si dhe me një pjesëmarrje të dinjitoze edhe në arenën ndërkombëtare. Por, po aq e suksesshme është Franja, edhe në cilësinë e titullares kryesore të ekipit kombëtar, me të cilin këtë sezon, nën drejtimin e trajnerit Armir Grima, pati paraqitjen më të mirë në eleminatoret e Euopianit dhe të Botërorit.

Në prononcimin e dhënë në prag të ndeshjes së dytë gjysëmfinale të Kupës së Shqipërisë, atë ndaj Partizanit që luhet në Shkodër, Franja premton kualifikimin në finale dhe fitoren e trofeut të Kupës. Por, përpos kësaj, garanton edhe titullin kampion, që për nga radha do të jetë i dhjeti radhazi për Vllazninë, duke përfshirë edhe një vijueshmëri pozitive në  pjesëmarrjen e Ligës së Kampioneve të Europës, ku konkuron rregullisht vitet e fundit.

“Nesër, luajmë ndeshjen e kthimit gjysëmfinale të Kupës së Shqipërisë me Partizanin. Fitorja 0 me 7 e ndeshjes së parë në Tiranë, na e bën të lehtë kalimin në finale. Në këtë ndeshje të dytë gjysëmfinale, trajneri ynë Nikolin Leka, ka projektuar aktivizimin e një numri të konsideruar futbollistesh të reja, të cilat po rriten me shpejtësi në ekipin tonë duke qënë një garanci për të ardhmen e klubit Vllaznia për femra.”, thotë kapitenia Franja.

Nisur nga ndeshjet e para, ku në gjysëmfinalen tjetër, Apolonia ka fituar 4-0 ndaj Tiranës, pritet një finale, Vllaznia-Apolonia. Një finale, që sipas Franjes, do të jetë emocionuese, pasi skuadra fierake, ka tentuar edhe në finalet e mëparshme t’ia rrëmbejë kupën Vllaznisë, por nuk ia ka arritur qëllimit. Ndaj, edhe në këtë finale të pritshme, Vllaznia-Apolonia, kapitenia kuqeblu, beson shumë tek fitorja e trofeut.

Ndërkohë, duke folur për përvojën e edicionit të fundit të Ligës së Kampioneve të Europës, kapitenia Esmeralda Franja, shprehet optimiste edhe për për edicionin e ardhshëm.

“Eksperienca në grupet e Champions Ligës ishte e mirë, kemi zhvilluar ndeshje të mira dhe luajtur ndaj ekipeve të forta, ata kanë një buxhet më të madh se ne dhe investojnë për të shkuar në finalen e kompeticionit por ne ja arritëm qëllimit që donim, të merrnim eksperiencës që do na shërbejë në të ardhmen. Ekipi i Çelsit ishte më i mirë, pasi ka mundur Realin dhe PSG-në. Na u duk vetja si në ëndërr kur shënuam kundër Realit, nuk po e besonim”, thekson Franja.

Në mbyllje, kapitenia e skuadrës kampione të Vllaznisë në futboll femra, Esmeralda Franja, vlerëson punën e mirë që po bëhet nga sektori i femrave në FSHF, por ndërkohë, duke parë ecurinë e Vllazninë në arenën ndërkombëtare, kërkon që mbështetja të tjetë edhe më e madhe, pasi, siç u pa edhe në edicionin e fundit, diferencat në organizim dhe financë me skuadrat kundërshtare europiane, janë të mëdha.

 

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img