Klubi i Futbollit Shkodra e ka treguar prej kohësh se punën me moshat e ka prioritet të kahershëm, për të cilën flasin edhe emrat e shumtë cilësor që kanë dalë nga ky klub dhe që sot luajnë me shumë sukses jo vetem në Superioren e Shqipërisë, por edhe në kampionatet e huaja.
Konkurimi i skuadrave të saj të moshave në kompeticionet e kategorisë Superiore është një tjetër tregues për punën cilësore që bëhet në këtë klub nga ana e stafit të trajnerëve. Ndërkohë, ajo që vlen të theksohet ka bëjë me faktin, se dy skuadrat e këtij klubi, U-17 dhe U-19 sapo korrën suksesin e merituar duke u kualifikuar në Turin e Dytë të Kupës së Shqipërisë për moshat.
Shorti për grupmoshat U-17 e vendosi Shkodrën të luajë përballë Erzenit të Shijakut, një takim që u zhvillua në stadiumin e Pezës Tiranë dhe që për hirë të së vertetes pati jo pak emocione për mënyrën se si ishte ecuria e kësaj ndeshje. Gjelaj shënon në minutën e 27-të për skuadrën shkodrane, rezultat që mbyllë edhe pjesën e parë me shifrat 1 me 0 në favor të KF Shkodra. Në të 60-tën minutë të ndeshjes barazojnë shijakasit duke e rifutur takimin përsëri në ekuilibër. Megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave për të gjetur golin e fitores si dhe njëkohësisht edhe atë të kualifikimit, koha e rregullt mbyllet në barazim 1 me 1. Kështu, që për të mësuar skuadrën që kalon turin e parë, ashtu siç vete FSHF e kishte vendosur më herët, gjuhen penalltitë. Djemtë e drejtuar nga trajneri Arbion Kopliku tregohen më të saktë se bashkëmoshatarët e tyre dhe me shifrat 5 me 3 dalin fitues duke e parë veten në turin e dytë të kupës.
Pas suksesit të 17 vjeçarëve, të njëjtën gjë bëjnë edhe 19 vjeçarët, të cilët luajtën po në stadiumin e Pezës Tiranë duke pasur përballë ekipin privat bredgetar, Durrësi 04. Një ndeshje kjo që prodhoi plot 7 gola dhe që në fund nxori fituese skuadrën e KF Shkodra të drejtuar nga trajneri Rudi Piraniqi. Katër golat që i dhanë fitoren KF Shkodra dhe që e dërguan në turin e dytë të Kupës kanë për autor, Suka me penallti në të 45-tën minutë, Shpuza në minutën e 62-të, Hoxha në të 71-ten dhe përsëri Suka, po me penallti në minutën e 81-të.
Sipas skemës së prcaktuar më herët nga sektori i futbollit të moshave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, në turin e dytë, dy ekipet e Shkodrës do të përballen me Akademinë e Futbollit për U-17, ndërkohë që skuadra U-19 do të ndeshet me Dinamon, takime këto që d të zhvillohen ditën e enjte përsëri në kryeqytet.