Ashtu, si çdo të hënë, specialisti i futbollit, Shkëlqim Muça, ka bërë analizën e javës për kategorinë Superiore të futbollit shqiptar në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH.
“Çdo ndeshje është finale tashmë, skuadrat që janë për titull po na bindin që janë aty, nuk kanë lëvizur”. Shkëlqim Muça ka analizuar javën e 22-të të Superiores duke theksuar se pretendentët kanë treguar se janë aty duke marrë fitore me peshë, me përjashtim të Vllaznisë që ka barazuar në fushën e Egnatias.
Shumë pak për të fituar – “Egnatia bëri diçka më shumë për të fituar, krijoi dhe raste, por nuk arriti të shënojë. Vllaznia bëri shumë pak për të fituar, krijoi pak mundësi. Është një skuadër që i duhet më shumë cinizëm. Ishte një ndeshje e rëndësishme për të krijuar diçka. Latifi ishte jashtë mundësive, akoma nuk është futur në ritmin e Vllaznisë”, tha Muça për ndeshjen e kuqebluve, ndërkohë që vijoi me anaklizën edhe të ndeshjeve të tjera.
Fitorja në ekstrem e Tiranës – “Është një fushë shumë e vështirë nëse nuk impenjohesh që në fillim, është një fushë që do grint, do karakter. Tirana e vështirësoi vet ndeshjen, penalltia do ia kishte bërë më të lehtë. Është një skuadër që përmbys rezultatet, e kërkon fitoren deri në fund. Ky ishte gabimi i Kastriotit që u tërhoq shumë. Tirana është skuadër karakteri, e rëndësishme për ta është që të qëndrojnë në këto nivele deri sat ë kompletohet grupi, që të rikthehen dhe të dëmtuarit”.
Dominimi i të kuqve – “Pavarësisht se ishte me një lojtar më pak, Partizani ishte dominues, tregoi karakter. Edhe trajneri u tregua i guximshëm, pasi i mbajti sulmuesit në lojë, nuk ndryshoi. Në asnjë moment nuk e diskutoi ndeshjen. Për Erzenin mund të them se ishte një nga ndeshjet më të dobta që ka zhvilluar. Dua të them se Partizani ka fituar një ndeshje që do i japë shumë besim për vazhdimin. Tek lojtarët nuk ka shumë diferenca, janë të gjithë pothuajse në të njëjtin nivel dhe japin maksimumin, nuk mund të thuash më se mungoi njëri apo tjetri”.
Oshilacionet e kurbinasve – “Laçi po paraqet shumë oshilacione, sidomos në fushën e tij. Ishte diçka normale ajo që ndodhi, e prisja. Bylisi e kishte përgatitur shumë mirë ndeshjen, e meritoi plotësisht fitoren”.
Fitore e rëndësishme e durrsakëve – “Një fitore shumë e rëndësishme ajo e Teutës përballë një Kukësi shumë të motivuar. Por akoma nuk mund të thuhet se është në ujra të qeta, sepse me një humbje shkon përsëri aty ku ishte. Durrsakët kanë shumë problem në mbrojtje, ishte me fat”.