Agron Haxhihyseni është shqiptari i parë që bëhet sekretari i përgjithshëm i një Federate Sportive Europiane. Mjeshtri i Europës në sportin e peshëngritjes, më 25 mars në Monza të Italisë ka marrë pozicionin e sekretarit të përgjithshëm të Federatës Europiane të Luftës trup më trup.
Më parë ka qenë sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, sikurse ka qenë edhe drejtor teknik i Federatës Shqiptare të Boksit. Madje është autori i Historisë së Peshëngritjes Shqiptare, ndërsa si peshëngritës në peshën 52 kilogram ka qenë kampion me Dinamon, teksa ka marrë dhe medalje bronzi në Kampionatit Europian të Peshëngritjes në Reims të Francës më 1987.
Për të gjitha aftësitë e tij komunikuese, Haxhihyseni është zgjedhur sekretari i përgjithshëm i Federatës Europiane të Luftës trup më trup. Ndërkohë në Europianin e fundit në Monza, Shqipëria është përfaqësuar me Emanuel Prengën, i cili në peshën 80 kilogram ka marrë medalje bronzi.