Pas pauzës së imponuar nga ndeshja e Kombëtares, këtë fundjavë rikthehet Kampionati Kombëtar i Vajzave me ndeshjet e javës së 13-të që premtojnë duele plot emocione të bukura me kompeticionin që po i drejtohet edhe sprintit final drejt titullit.
Siparin e ngre sfida Kinostudio – Teuta që do të luhet të shtunën e 15 prillit në Qendrën e Ekipeve Kombëtare në Kamëz e do të fillojë në ora 11:30. Të dyja skuadrat janë në kuotë të barabartë pikësh (15) dhe renditen momentalisht në vendin e 6-të dhe 7-të të klasifikimit.
Në orën 13:00 do të nisin njëkohësisht edhe dy ndeshjet më të rëndësishme të kësaj jave. Vllaznia do të presë Skënderbeun në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës me synimin për të fituar dhe për të vijuar marshimin drejt titullit kampion. Kryesueset e kampionatit kanë 36 pikë pas 12 javësh dhe vijnë në këtë javë me objektivin e qartë për t’u shkëputur nga ndjekësit më të afërt.
Tirana e vendit të dytë do të ketë përballë Partizanin në derbin e kryeqytetit, një nga ndeshjet më të veçanta të kampionatit që do të zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi”. Vajzat bardheblu kërkojnë të mbajnë hapin e kryesueseve, por duhet të bëjë llogaritë me rivalet kryeqytetase në një ndeshje që premton spektakël dhe futboll të bukur.
Takimi i katërt dhe i fundit i të shtunës do jetë Apolonia-Laçi, që starton në 15:00 dhe luhet në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu” të Fierit. Ekipi fierak aktualisht renditet në vendin e tretë me 14 pikë, kurse skuadra kurbinase është pozicionuar ne vendin e 5-të me 16 pikë pas 12 ndeshjesh.
Java e 13-të do të mbyllet me ndeshjen Kukësi-Lushnja, që do të zhvillohet të dielën e 16 prillit, duke filluar nga 13:00 në fushën e Barbullushit në Shkodër.
Më poshtë edhe kalendari i plotë i javës së 13-të të Kampionatit Kombëtar të Vajzave:
Kampionati Kombëtar i Vajzave
Ndeshjet e javës së 13-të
Apolonia – KF Laçi 15.04.2023 ora 15:00
Vllaznia – Skënderbeu 15.04.2023 ora 13:00
Kukësi – Lushnja 16.04.2023 ora 13:00
Kinostudio – KF Teuta 15.04.2023 ora 11:3
Tirana – Partizani 15.04.2023 ora 13:00