Monday, November 25, 2024

Liga e Kampioneve të Europës mbyll fazën çerekfinale. Kualifikohen edhe Mançester Siti dhe Interi

Lexo

Pas Milanit dhe Realit të Madritit të kualifikuar mbrëmjen e djeshme në gjysëmfinalet e Ligës së Kampioneve, Mançester Siti dhe Interi janë dy ekipet e tjera që kualifikuan mbrëmjen e sotme në gjysëmfinale duke formuar kuartetin e kësaj faze që do të vijojë më tej në luftën për fitimin e trofeut.

Në sfidat e mbrëmjes së sotme, vëmendja ka qënë e përqëndruar në Mynih, aty ku Bajerni erdhi me detyrën e vështirë të përmbysjes së asaj humbjeje 0-3 para një jave në Angli përballë Mançester Sitit.

Dhe pjesa e parë ka parë bavarezët të bëjnë një vëllim më të madh loje dhe të mundohen të ndërtojnë raste për shënim, por pa qartësinë dhe forcën e duhur goditëse përballë anglezëve të kënaqur me administrimin e epërsisë 3-golëshe të ndeshjes së parë. Madje, përkundër rrjedhës së lojës, Mançester Siti do të fitojë një 11-metërsh, por Erling Haaland do të gabojë nga pika e bardhë.

Kësisoj, me rrjeta të paprekura do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta do të shohë Bajernin të hidhet në sulm për të gjetur golin që do të hapte ndeshjen. Dhe rastet nuk kanë munguar, madje as ai në të 57-tën minutë, që nuk është shpërdoruar dhe, menjëherë në krahun tjetër godet Mançester Siti, pasi është Haaland që shfrytëzon gabimin e atij që gaboi shtrenjt edhe në ndeshjen e parë, francezit të Bajernit, Upemakano dhe nuk e ka të vështirë të shënojë.

Përtej lodhjes gjithnjë e më të pranishme dhe anulimit të një goli nga Sistemi i Nidhmësgjyqtarit të Videos (VAR), do të jetë po ky i fundit që do t’i dhurojë Bajernit një 11-metërsh dhe është Kimish që nuk gabon nga pika e bardhë dhe barazon shifrat.

Por është shumë pak dhe shumë vonë, pasi është Mançester Siti që kualifikohet për më tej në gjysmëfinale, ku përballë do të ketë Realin e Madridit.

Në takimin tjetër të mbrëmjes, Interi është ndalur në një barazim 3-3 në ndeshjen e kthimit në “San Siro” nga Benfika, por që ka mjaftuar për ta kualifikuar për më tej dhe do të përballet kështu në gjysmëfinale me rivalen qytetase, Milanin.

Një rikthim në top katërshen e Europës 13 vjet pas sezonit të Tripletës. Edhe një herë Barella zhbllokoi ndeshjen në minutën e 14-të. Portugezët barazuan në minutën e 37-të me Aursnes, por në pjesën e dytë Lautaro u kujdes për të nënshkruar 2-1 që mbylli efektivisht llogaritë, duke e bërë praktikisht të pamundur rikthimin e kundërshtarit. Në finale ka lavdi edhe për zëvendësuesin Correa, i cili firmosi për 3-1. Për portugezët, Antonio Silva 86’ e Musa 90’+5 bënë të mundur që të fiksonin 3-3, por vetëm kaq, Interi vazhdon më tej.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img