Janë luajtur sot ndeshjet e treta dhe të fundit të turneut UEFA Development U-16, që u zhvillua në Shqipëri, me ndeshjet që janë luajtur të gjitha në fushën e Shtëpisë së Futbollit. Shqipëria U-16 ka shkëlqyer sërish duke regjistruar fitoren e tretë në po aq ndeshje, pasi mundi me rezultatin 3-1 Ishujt Faroe e duke e mbyllur turneun në krye të grupit me 9 pikë të plota. Një turne i suksesshëm për kuqezinjtë në fushë, por edhe për FSHF-në që organizoi në mënyrë perfektë turneun e radhës ndërkombëtar në vendin tonë.
Trajneri Ervin Bulku hedh në fushë këtë formacion titullar: Leonard Kolgecaj, Murselo Dervishi, Renato Halili, Jetmir Laze, Eraldo Karaj, Tedi Malaj, Ergis Arifi, Oresti Rifa, Enea Elmazi, Matias Gici, Marvin Kalushi.
Kombëtarja shqiptare e nis menjëherë në sulm, teksa sulmuesi Tedi Malaj ka në këmbë një mundësi të artë shumë afër portës. Në momentin e fundit gjuajtja e tij devijohet në këndore nga miqtë. Kuqezinjtë këmbëngulin vazhdimisht dhe i afrohen disa herë portës kundërshtare me rastin me të mirë që e ka Malaj në minutën e 17-të. Gjuajtja e tij këtë herë ne të majtën grushtohet me vështirësi nga portieri mik. Ishujt Faroe përfitojnë nga një gabim në mesfushë dhe i afrohen shumë golit në minutën e 24-t, kur Jonas Nordendal godet nga shumë afër portës me topin që përfundon shumë lart mbi traversë.
Pas shumë përpjekjeve kuqezinjtë zhbllokojnë rezultatin në minutën e 31-të, kur Tedi Malaj godet saktë nga goditja e dënimit dhe fikson rezultatin në 1-0. Pak minuta më pas është Ergis Arifi që ka një mundësi shumë të mirë pas një aksioni të bukur, por gjuajtja e tij fare afër portës bllokohet nga portieri i Ishujve Faroe.
Në pjesën e dytë tekniku Bulku bën disa zëvendësime me kuqezinjtë të cilët kanë sërish iniciativën dhe vazhdojnë të sulmojnë për golin e dytë, që vjen në minutën e 57-të, kur Matis Gici fiton nje top në hyrje të zonës dhe pas një driblimi të bukur godet me të majtën, duke befasuar portierin e duke shkundur rrjetën. Shqipëria kryeson me meritë 2-0, ndërsa sërish Gici përsërit gjithçka në minutën e 66-të pasi kërcen bukur në zonë me kokë, duke dërguar në rrjetë topin e ardhur nga këndorja dhe duke çuar shifrat në 3-0.
Në minutën e 80-të arbitri akordon një penallti për Ishujt Faroe pas një faulli në zonë dhe numri 7 Aron Benjaminsen, godet saktë duke shënuar për miqtë me rezultatin që shkon në 3-1. Në minutat e mbetura Shqipëria U-16 dominon lojën, duke krijuar disa raste të mira për shënim, ndonëse nuk arin të thellojë rezultatin. Sfida mbyllet me fitoren 3-1 të kuqezinjve, që arrijnë një rezultat mjaft të mirë në këtë turne.
Ndeshja tjetër e ditës së sotme në këtë turne ishte mes Azerbajxhanit dhe Moldavisë, e luajtur po në fushën e Shtëpisë së Futbollit dhuroi spektakël e gola deri në fund. Azerët kaluan të parët në avantazh, por moldavët barazuan shpejt teksa në fundin e pjesës së parë Azerbajxhani kaloi sërish në epërsi 2-1. Ndeshja ka qenë mjaft e balancuar në pjesën e dytë, teksa në minutat e fundit Moldavia përmbysi gjithçka duke fituar 3-2.
Kalendari i plotë i ndeshjeve ‘UEFA Development U-16’
2 maj
Ishujt Faroe U16 – Azerbajxhan U16 2-4
Shqipëri U16 – Moldavi U16 3-0
4 maj
Ishujt Faroe U-16 – Moldavi U-16 1-3
Shqipëri U-16 – Azerbajxhan U-16 1-0
7 maj
Azerbajxhan U-16 – Moldavi U-16 2-3
Shqipëri U-16 – Ishujt Faroe U-16 3-1