Tre boksierë të Kombëtares shqiptare të boksit, dy shkodranët Xhoi Eliazi dhe Arjon Kajoshi, si dhe durrsaku Gelian Rojku konkuruan në Turneun Ndërkombëtar të boksit Grand Prix Zagreb, aktivitet i cili vinte pas një periudhe të gjatë ndërprerje për shkak të pandemisë. Boksierët kuqezi shoqëroheshin në këtë aktivitet nga trajneri i kombëtares, shkodrani Zef Gjoni, i cili më herët kishte zhvilluar një mini-fazë përgatitore speciale gjatë grumbullimit të realizuar në qytetin e Shkodrës. Edhe pse niveli i boksierëve kuqezi konsiderohet i cilësisë së lartë, në ringun e Zagrebit ato nuk arriten të marrin asnjë fitore. Sipas informacionit që VeriuSport mori nga trajneri Gjoni, në një farë mënyre shkak për mungesen e rezultateve pozitive në këtë turne u bë edhe shorti, i cili që në turin e parë i ballafaqoi boksierët kuqezi me kundërshtarë shumë të fortë deri edhe kampion bote.
Goglat me siglen e 14 shteteve pjesëmarrëse fiksuan në short që shkodrani Arjon Kajoshi të boksonte me boksierin Rus, kampion bote në sezonin e kaluar, ndërsa përballë shkodranit tjetër Xhoi Eliazi ishte një boksier tjetër po aq potent nga Franca. Edhe për durrsakun Gelian Rojku shorti i vuri përballë një boksier francez mjaft të përgatitur. Sipas informacionit, që të tre boksierët tanë kanë bërë më të mirën e tyre në rin, sidomos për t’u veçuar është boksimi shumë cilësor i Xhoi Eliazit, por sidoqoftë kjo nuk ka mjaftuar për të kaluar turin e parë. Me humbjet e tyre ato janë eleminuar duke mos patur mundësinë të vazhdojnë më tej.
Në këtë turne ndërkombëtar konkuruan edhe dy boksierë të kombëtares kosovare, Donjet Sadiku në peshen deri në 60 kg dhe Besart Pireva pesha deri në 81 kg, të cilët shoqëroheshin nga trajneri Besim Brahimi. Megjithë rivalitetin e madh përballë kundërshtarëve të tyre në ring, edhe ato i humbën ndeshjet e tyre duke mos arritur të kualifikohen më tej në turin e dytë.