Në vazhdën e nderimit të figurave të shquara të Sport Klub Vllaznia në vite, klubi kuqeblu ka vlerësuar ish basketbollistin dhe ish trajnerin e suksesshëm të këtij klubi, Roland Koka me çertifikatën “Mirënjohje”. Në motivacionin që shoqëron çertifikatën në fjalë, të cilën në emër të stafit të trajnerëve shkodranë dhe drejtuesve të klubit e dorëzoi trajneri aktual i basketbollit të femrave, Bledar Gjeçaj, thuhet: ”Stafi, trajnerët dhe sportistët e Sport Klub Vllaznia të janë mirënjohës për punën dhe kontributin tuaj të dhënë për 23 vite në rritjen e cilësisë dhe përgatitjen e basketbollisteve shkodranë. Ke qënë, je dhe do të jeshë një model i veçantë për tu marrë shembull nga të gjithë brezat! Me mirënjohje dhe shumë respekt!”
Bledar Gjeçaj për Roland Kokën
Me këtë rast, trajneri Gjeçaj nuk nguron të përcjellë vlerësimet ndaj figurës së Roland Kokës, jo vetëm në emër të klubit, por edhe të tijat personale si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt me profesor Kokën.
“Jemi mbledhë sot për t’i shprehë mirënjohjen më të madhe një ndër aktivistëve më të mirë të Klubit Vllaznia, professor Roland Kokës, i cili me përkushtimin dhe pasionin e tij ka pasë shumë suksese, të cilat janë pasqyruar edhe në ekipin e parë të basketbollit, i cili ka qënë i furnizuar nga mjaft element të rinjë. Profesor Koka ka qënë një ndër bashkëpunëtorët kryesorë të mi në vite. Për këtë, edhe unë në veçanti i shprehë mirënjohjen time më të madhe, jo vetem të klubit por edhe unë, sepse me punëtorë të tillë, basketbolli, por dhe sportet e tjera, kanë për të pasë një ecuri shumë shumë të mirë. Edhe një herë i uroj suksese profesorit, ta vazhdojnë punën edhe pse ka dalë në pension, mundet të vijojë në punën e tij për të ndihmu brezat e ardhshëm, sepse është ndër punëtorët që duhet marrë shembull edhe nga brezi tjetër i trajnerëve”, tha Gjeçaj teksa i dorëzoi çertifikatën “Mirënjohje” nga ana e SK Vllaznia.
Emocionet e Roland Kokës
I emocionuar për nderimin që iu bë, trajneri veteran Roland Koka, që tashmë e ushtron aktivitetin e tij në pension me një ekip privat basketbolli për të rinj, shprehet: “Falenderoj nga zemra për këtë evenimet të rëndësishëm të jetës sime. Pra të nderohem me çertifikatën “Mirënjohje” është një nder i madh që më bëhet. Ashtu siç tha edhe Bledari, kam vazhdu edhe kur jam larguar nga ekipi i të rinjëve me një ekip të vogël fëmijësh dhe të rinjë. Por, elementët të cilët i duhen në vazhdimësi basketbollit shkodran, ajo që ka qënë gjithmonë premisë e punës sime ka qënë elementi i gjatë dhe deri përpara dy-tre muajve kam pasë tre lojtarë përmbi dy metra. Por kjo pandemia bëri që të largohen dy, ndërkohë njëri vazhdon përsëri duke u aktivizuar me ekipin e të rinjëve.”
Në vijim, trajneri veteran Roland Koka risjellë në vemendje një pjesë të karrirës së tij sportive. “Janë shumë vite që unë kam kaluar këtu. 25 vjet punë intensive, madje ka pasë edhe një periudhë kohe kur kaluam një krizë të vogël, ku krahas trajnimit të ekipit të rinjëve jam marë edhe si zv.trajner me ekipin e parë. Kështu që është një jetë e tanë. Unë kam fillu të luaj basketboll me ngjyrat e Vllaznisë që në vitin 1962 në Spartakiadën e pionierëve, llogariteni se sa vite i takojnë që atëherë dhe deri më sot, janë 59 vite ku unë nuk jam shkëput asnjëherë nga basketbolli. Mendoj edhe pak, në qoftëse do të kem fuqi që të kontribuoj për brezin e ri, ose më mirë me thanë për të ndihmu këto trajnerët e rinj që të jap përsëri kontributin tim, sepse nuk më mungon aftësia dhe mundësia”, u shpreh Koka.
Reagimi i profesor Kokës për bllokimin e basketbollit
Ndërkohë, trajneri Koka flet edhe për moszhvillimin e kampionateve të lojrave me dorë, përfshirë edhe basketbollin, për të cilin thotë se dëmi në këtë rast është i madh. “Kur mbërrita këtu në pallatin e sportit, gjëja e parë ishte me shku me pa sallën e basketbollit, e kisha harru me të thanë të drejtën. Shpresojmë që tashmë të mendojmë ndryshe, përderisa futbolli luhet, edhe basketbolli, me një mënyrë siç ndodhë edhe në institucione të tjera, mundet të vazhdojë rregullisht dhe të mos ndërpritet më, sepse i thonë një humbje madhe e disa viteve punë, mund, djersë, sakrifica të sportistëve, trajnerëve, klubit shumë sportesh dhe më radhë.
Një pjesë e karrieres sportive
Referuar karrierës sportive të Roland Kokës duhet thënë se ai si basketbollist bën pjesë në formacionin e Vllaznisë kampione të sezonit 1966-1967 që ishte edhe titulli i parë kampion për ekipin e basketbollit meshkuj kuqeblu duke luajtur përkrah emrave të tillë si Luan Shatku, Renato Radoja, Filip Guraziu, Petrit Osmani, Nikolin Pali, Agim Lahi, Asllan Gjyrezi, Zyhdi Çoba, Nikolin Kovaçi, Flamur Selmani, Vladimir Gjurba, etj me në krye trajnerin Esat Haxhi. Ndërkohë, karriera e Roland Kokës me sportin e basketbollit do të vijonte të ishte po aq e suksesshme edhe në detyrën e trajnerit, kryesisht të moshave ku në 12 vite karrierë, është shpallur 6 herë kampion kombëtar dhe 2 herë nënkampion, ndërkohë që ajo që është më kryesorja, nga puna e tij profesionale kanë dalë breza të tërë elementësh cilësorë, të cilët në vijim do të përfaqësonin ekipin e parë të Vllaznisë, por edhe në ekipe të tjera të kampionatit shqiptar, si dhe jashtë vendit, mes të cilëve spikasin edhe vëllezërit, Dod dhe Daniel Lekndreaj.
Gaspër MARKU