FLAMURTARI-KORABI 1-2 (81′ Kondaj / 45′, 90’+11′ Keko)
Korabi ka fituar në finalen e “Play Off” ndaj Flamurtarit në “Arenën e Demave” me rezultatin 1-2, duke shkuar kështu vetëm një ndeshje larg ngjitjes në Superiore. Dibranët do të ndeshen ndaj skuadrës së 8-të të Superiores, ndërsa vlonjatët mbeten në Kategorinë e Parë.
Vlonjatët e nisën mirë ndeshjen, me De Olivieran që kërcënoi portën rivale, por vetëm kaq. Në minutën e 22-të, të besuarit e Diego Longos pretentuan për penallti pas prekjes me dorë të Paplekaj por arbitri Xhaja nuk ndau të njëjtin mendim. Djemtë e Kumbarcces festuan në minutën e 45-të, kur Keko zhbllokoi takimin pas një lëvizje të bukur.
Në pjesën e dytë, Flamurtari ushtroi më shumë presion, por dibranët ishin mirë të vendosur në prapavijë, duke mos lënë aspak hapësira.
Në minutën e 60-të, Beshiraj mund të mbyllte një herë e mirë llogaritë, por gaboi përpara porte, pasi gjuajtja ishte tejet e dobët. Minutat e fundit ishin mjaft emocionuese. Kondaj vendosi ekuilibrat përkohësisht, teksa Korabi riktheu gjithçka në favorin e vet në limite me golin e Kekos.
Tashmë me interes të madh pritet të mësohet se kush do pozicionohet në vendin e tetë në Superligë, ekip i cili do masë forcat me Korabin për një biletë në elitë.
Fatos LAMAJ