Që prej pasdites së sotme, trajner i Vllaznisë në futboll për kategorinë Superiore është Migen Memelli. Një gjë e tillë është bërë zyrtarisht e ditur përmes një konference për shtyp të organizuar në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”.
Prezantimi i trajnerit të parë Migen Memelli, por edhe i zv.trajnerit, shkodranit Ndriçim Shtubina është bërë nga Drejtori Sportiv i KF Vllaznia, Elvis Plori, i cili në fjalën e tij vlerësoi Memellin duke qënë të kënaqur si klub për zgjedhjen e bërë.
Më pas, për mediat e pranishme, ka folur vetë trajneri i Memelli duke u shprehur i kënaqur që i është besuar të drejtojë një klub të madh si Vllaznia, dhe për këtë falenderoi drejtuesit kuqeblu që miratuan emrin e tij për të qënë trajner i Vllaznisë.
Nga sa bëhet e ditur, kontrata e trajnerit Memelli me Vllazninë është me një afat një vjeçar, por saktësisht një gjë e tillë do të konfirmohet nga vetë presidenti Alban Xhaferi, i cili për arsye pune gjendet jashtë vendit.
Sa i përket objektivave që klubi i ka vendosur atij si trajner i Vllaznisë, Memelli tha se për një gjë të tillë do të flasë një herë tjetër, pasi akoma nuk është takuar me presidentin, ndërkohë që duhet parë edhe ecuria e ndërtimit të skuadrës.
I kënaqur për rikthimin në shtëpi pas një periudhjë 3 vjeçare në rrogozhinë pranë Egnatias u shpreh edhe Ndriçim Shtubina, i cili do të mbajë postin e zëvendëstrajnerit. Ndër të tjera, Shtubina shprehu kënaqësinë që do të ketë mundësinë të punojë me Memellin, një njohje e tij e kahershme me të cilin ka pasur rastin të bashkepunojë, ndërsa premtoi përkushtim maksimal në kryerjen e detyrës së tij.