Mançester Siti-Inter 1-0 (Shënues: Rodri 68’)
Mund 1-0 në Stamboll Interin, emocionet e finales erdhë drejtpërdrejt në RTSH
Stadiumi “Ataturk” i Stambollit ka qenë arena e finales së 65-të të Ligës së Kampioneve në futboll, që ka qenë një duel anglo-italian, pasi Mançester Siti është përballur me Interin. Sfida është sjellë, sikundër çdo ndeshje e spikatur e këtij sezoni të veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të kontinentit, për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në një transmetim maratonë, që ka nisur me emisionin e posaçëm dhe lidhje direkte nga Stambolli, që kanë nisur para dhe kanë vijuar edhe pas ndeshjes dhe përgjatë ceremonisë së kurorëzimit të kampiones së re të Evropës për klubet.
Dhe pjesa e parë ka parë Interin e trajnerit Simone Inzagi, që e mbylli në vendin e 3-të sezonin në Serinë A, ta interpretojë në mënyrë të shkëlqyer taktikisht lojën, përballë një skuadre më superiore në organikë dhe në cilësi, siç ishte Mançester Siti i homologut Pep Guardiola. Madje zikaltërit kanë guxuar, në periudha të caktuara, ta kërcënojnë portën e anglezëve, të cilët, nga ana e tyre, nuk kanë patur atë rrezikshmërinë e zakonshme përballë italianëve të kujdesshëm dhe të ngjeshur në fazën mbrojtëse dhe përballë portierit Onana që ka qenë në lartësinë e kërkuar.
Me Mançester Sitin që do të humbasë në minutën e 36-të, për shkak të një dëmtimi, edhe lojtarin kyç, Kevin De Bryjne, por me rrjeta të paprekura është mbyllur pjesa e parë në Stamboll. Ndërsa në të dytën, edhe Interi ka humbur, brenda 10 minutave të para, Edin Xhekon, për shkak të një dëmtimi. Dhe sikundër ndodh në duele të tilla të luftuara ngjeshur dhe fort, do të jetë një hero i pazakontë, në trajtën e Rodrit, që do të vendosë fatin e lojës, teksa do të gjejë golin e epërsisë për Mançester Sitin në minutën e 68-të.
Ndeshja në vijim do të shohë një lojë të hapur nga ana e të dyja skuadrave, në kërkim të golit që mund të ndryshonte shumëçka. Si Mançester Siti, ashtu edhe Interi e kanë patur mundësinë për ta bërë këtë, por pasaktësia në finalizim i ka ndëshkuar të dyja palët. Përtej 22 minutave të mbetura të kohës së rregullt dhe 5 minutave shtesë, nuk ka më gola në Stamboll dhe Mançester Siti siguron, për herë të parë në histori, trofeun e Ligës së Kampioneve, duke u bërë edhe skuadra e 23-të që shkruan emrin e saj në librin e artë të kësaj veprimtarie prestigjioze.