Trajneri Ardi Behari, analizoi humbjen e Tiranës ndaj Besiktas me rezultatin 3-1. Në emisionin “Skaner” në MCN TV, Behari deklaroi se rezultati 2-1 nuk do të ishte i vjedhur nga bardheblutë, referuar asaj që treguan në pjesën e dytë.
Sipas tij, nuk ka njeri në Shqipëri, që të besojë te kualifikimi i Tiranës në ndeshjen e kthimit ndaj Besiktas.
“Rezultati 2-1 do të ishte një rezultat jo i vjedhur, do ishte një rezultat logjik, për atë që Tirana dha në pjesën e dytë. Nuk kishim aq topa të humbur sa në pjesën e parë. Të gjithë duhet të themi se Besiktas, nuk ishte një skuadër kushedi se çfarë, por siguruan gjerësinë dhe e dominuan ndeshjen.
Në pjesën e dytë Tirana ndryshoi sistemin dhe nuk ishte një lojë individuale. Ishte një skuadër më grup dhe erdhi goli i Kainas. Nuk besoj se ka njeri në Shqipëri që ka shpresë te kualifikimi i Tiranës. Jemi te përfaqësimi dinjitoz. Diferencat në fushë janë të jashtëzakonshme. Nuk pashë Haxhiun të fitojë një duel shpejtësie me kundërshtarët.”, deklaroi Behari.