Monday, November 25, 2024

Itali-Shqipëri U-19, 3-0. Kuqezinjtë humbin miqësoren me kampionët e Europës në Koverçano. Në fushë edhe tre shkodranët, Kiri, Zaganjori dhe Dodaj

Lexo

Itali – Shqipëri  3-0

(Shënues: Delle Monache 2′, 44′, Ripani 24′)

Itali: Magro (30′ Borriello); Turco, Domanico, D’Avino, Saiani; Ciammaglichella, Ripani, Di Maggio; Quieto, Bolzan, Delle Monache.(U aktivizuan: Borriello (15′ Di Bartolo); Magni, Corradi, Bassino, Milani; Parravicini, Bovo, Graziani; Longoni, Ragnoli Galli, Presta). Trajner: Bernardo Corradi

Shqipëri: Kiri (Totoshi 80’); Muça (Zaganjori 73’), Kacurri (Meta 46’), Ar. Kurti, Ad. Kurti, Damini (Përndreca 60’); Vranici (Duro 46’), Tresa, Kasmollari (Dodaj 80’); Sulejmani (Demircani 80’), Krasniqi (Belloj 73’). Trajner: Ervin Bulku

Shqipëria U-19 zhvilloi një miqësore me Italinë U-19 në qendrën e ekipeve kombëtare italiane në Koverçano, me ndeshjen që përfundoi me rezultatin 3-0 në favor të vendasve. Një test shumë i mirë për kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku përballë skuadrës kampione të Europës për grup-moshën U-19.

Kombëtarja shqiptare e nisi ndeshjen me këtë formacion: Kiri; Muça, Kacurri, Ar. Kurti, Ad. Kurti, Damini; Vranici, Tresa, Kasmollari; Sulejmani, Krasniqi. Siç kemi theksuar edhë herët në përbërje të kombëtares U-19 janë edhe futbollistët shkodranë, Tomas Kiri që aktualisht luan me Tiranën në kampionatin shqiptar, si dhe dyshja kuqeblu e Vllaznisë, Ersi Zaganjori dhe Kevin Dodaj. Për Kirin, trajneri Ervin Bulku i kishte dhënë vendin e titullarit, ndërkohë që Zaganjori dhe Dodaj u aktivizuan në pjesën e dytë.

Sakaq, Italia U-19 vinte me disa ndryshime krahasuar me një muaj më parë, kur fitoi titullin kontinental në finalet e Europianit, teksa debutonte në stol trajneri i ri Bernardo Corradi.

Vendasit e nisin shumë mirë ndeshjen dhe kalojnë në avantazh që në minutën e dyte më anë të sulmuesit Marco Delle Monache (lojtar i Sampdorias), i cili e dërgon topin në portë pas një krosimi nga e djathta. Ndërkohë që Shqipëria U-19 përpiqet të reagojë dhe të krijojë raste për shënim italianët gjejnë golin e dytë në minutën e 24-të me anë të Ripanit.

Në sekondat e fundit të pjesës së parë Italia U-19 gjen edhe golin e tretë me Delle Monache, i cili shënon pas një gjuajtje me kokë. Për t’u përmendur paraqitja e mirë e portierit Kiri, vendimtar në disa raste me ndërhyrjet e tij.

Në pjesën e dytë Italia U-19 bën shumë zëvendësime, duke ndryshuar thuajse të gjithë ekipin, teksa edhe Bulku ndërhyn duke hedhur në fushë forca të freskëta. Pjesa e dytë është më e balancuar dhe kuqezinjtë arrijnë të ruajnë ekuilibrin e duhur në fushën e lojës me portierin Kiri që pret edhe një penallti. Gjithsesi deri në fund rezultati nuk ndryshon, teksa trajneri aktivizon të gjithë lojtarët e ftuar për këtë miqësore.

Kombëtarja U-19 do të ketë edhe miqësore të tjera në muaj shtator e tetor, me rivalët që mbeten për t’u përcaktuar, ndërkohë që në muajin nëntor kuqezinjtë do të jenë të impenjuar në kualifikueset Europianit 2023-2024 për këtë grup-moshë.

Shorti i UEFA-s e ka pozicionuar Kombëtaren shqiptare U-19 në Grupin 13, së bashku me Irlandën, Belgjikën dhe Slloveninë, ndërsa ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në vendin tonë në datat 15, 18 dhe 21 nëntor 2023.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img