Kapiteni i Vllaznisë, Esin Hakaj, po kalon një periudhë jo të lehtë nga dëmtimi i tij i marrë gjatë përgatitjeve për sezonin e ri. Një ndërhyrje e Dragoshit rrëzë kofshës duket se ka ndikuar jo pak në ecurinë e përgatitjeve të vetë lojtarit.
Ai është detyruar që të jetë jashtë përgatitjeve për më shumë se dy javë dhe vetëm pas një rikuperimi ai i është kthyer stërvitjes, por deri tani ende me kapacitetin e plotë. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, Hakaj deklaron:
“Tani mendoj se kam kaluar plotësisht dëmtimin që pata. Kisha një dëmtim rrëzë kofshës, që më shqetësoi jo pak gjatë gjithë kësaj periudhe. Tani e kam kaluar atë problem, por janë në fazën e rikuperimit dhe besoj se shumë shpejt do të jetë me grupin. Besoj se shumë shpejt do të jem pjesë e tij”, u shpreh kapiteni.
AFRIMI – Drejtuesit e klubit kuqeblu menjëherë pas këtij dëmtimi filluan që të mendojnë për një zëvendësues për Hakajn, pavarësisht se Spahija ishte një alternativë e mirë për këtë gjë. Ato vetëm dy ditë më parë konfirmuan Xhelil Asanin si pjesë të ekipit dhe si alternativa që mund të jetë më e përshtatshmja për të rivalizuar kapitenin shkodran. Një gjë e tillë nuk duket se shqetëson Hakajn, i cili kur flet për rivalitetin e shikon gjithmonë atë në sensin pozitiv.
“Drejtuesit e shikojnë me syrin e tyre se ku duhet që të përforcohet ekipi. Një afrim i tillë rrit konkurrencën, por edhe cilësinë në ekip. Një sezon është shumë i gjatë e normalisht kërkohen edhe alternativa një çdo pozicion. Mendoj se ato e kanë shikuar më mirë se ku ekipi e ka më shumë të nevojshme”, është shprehur Hakaj.
SHTYRJA – Kapiteni kuqeblu ka folur edhe për shtyrjen e kampionatit. Në aspektin personal shtyrja me një javë i ka vlejtur atij, por mendoj se edhe ekipit, pasi Vllaznia sipas tij është një skuadër e re. “Për mua më ka vlejtur kjo shtyrje. Unë besoj se edhe pak ditë do të jem me ekipin dhe është më ndryshe që të jesh totalisht i gatshëm dhe pjesërisht i tillë. Mendoj se deri në startin e kampionatit do të jem i plotë. Por kjo mendoj se do të vlej edhe për ekipin, që, duke qenë me një përbërje të re, kërkon ende kohë për harmonizim”, vijoi ai.
SEZONI – Ndërsa në fund të deklaratës së tij, i pyetur për sezonin e ri ai është përgjigjur. “Sezoni është shumë i gjatë. Edhe e shkuara ka treguar se jo çdo gjë shkon si e mendoj apo do të kesh edhe surpriza të bukura. Mendoj se është ende herët që të flitet për objektivat e sezonit të ri. Ne duhet që në çdo javë të bëjmë më të mirën dhe pastaj të diskutojmë për objektiva”, deklaroi kapiteni i Vllaznisë, Esin Hakaj.
ADMIR URUÇI