Ndërkohë kur na ndajmë më pak se një muaj nga ballaafqimet europiane të futbollit të femrave, në KFF Vllaznia ka ndryshime në staf. Kështu, ndonëse zyrtarisht pritet të bëhen publike në ditët e ardhshme, mësohet se trajneri i suksesshëm prej disa vitesh kampion me Vllazninë e femrave, Nikolin Leka është emëruar në detyrën e drejtorit të KF Vllaznia femra, ndërkohë që në pozicionin e trajnerit është vendosur të jetë Haris Lika, i cili më herët ka qënë në drejtimin e disa skuadrave të tjera të qarkut Shkodër.
Dyshja në fjalë prej disa ditësh drejton seancat stërvitore, të cilat për hirë të së vertetes duken me një intensitet të lartë, hera heres të kordinuara edhe me nga dy seanca në ditë.
Veriu Sport, ndoqi nga afër njërën prej seancave stërvitore të ditës së sotme, ku krahas boshtit të skuadrës së vitit të kaluar me skuadrën janë duke u stërvitur edhe disa futbolliste huaja, të cilat pritet ta përforcojnë edhe më shumë skuadrën kuqeblu.
Siç është bërë me dije edhe më herët, ndeshjet e grupit të shtatë janë vendosur të luhen në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës nga data 6 deri me 9 shtator 2023.
Konkretisht, sfida e parë do të jetë ajo mes Valur (Islandë) dhe Fomget Gençlik (Turqi) dhe do të zhillohet më 6 shtator në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës duke nisur nga ora 10:00 e paradites.
Ndërkaq, po më 6 shtator do të zhvillohet po në stadiumin “Loro Boriçi” edhe sfida tjetër mes Vllaznisë dhe Hajvalisë (Kosovë), ndeshje e cila është vendosur të fillojë në orën 18:00.
Dy fitueset e dala nga këto dy ndeshje do të luajnë një finale me njëra-tjetrën dhe vetëm njëra prej tyre do të avancojë për në raundin e dytë, ndërkohë që edhe dy skuadrat humbëse do të përballen në një sfidë të fundit për të kompletuar renditjen e grupit.
(Video) Pamje nga seanca stërvitore e Vllaznisë në futboll femra, në prag të ndeshjeve eleminatore të Ligës së kampioneve të Europës