Vllaznia dhe Dinamo do të përballen këtë të premte në një ndeshje miqësore në kuadrin e përgatitjeve që të dyja skuadrat po bëjnë për startin e sezonit të ri futbollistik 2023-2024.
Miqësorja në fjalë është planifikuar për t’u luajtur mbrëmjen e së premtes në stadiumin “Loro Boriçi” duke filluar nga ora 20:00 dhe pritet të ndiqet nga një numër i madh tifozësh shkodranë.
Për kuqeblutë, kjë është miqësorja e pestë radhazi pas mbylljes së ndeshjeve europiane, ku pas përballjeve me Buduçnostin, Laçin, dhe Otrant të Ulqinit, ajo e luajtur në kryeqytet me Tiranën, ishte më e mira për Vllazninë, jo vetëm për rezultatin fitues 0 me 1, por edhe në tërësi për skuadrën kuqeblu.
Megjithatë, konfirmimin e plotë që Vllaznia është në formën e duhur sportive do ta paraqesë miqësorja me Dinamon, një skuadër kjo e mirëinvestuar, e cila vjen pas një faze përgatitore luksi të zhvilluar në Itali.
Në pritje të kësaj miqësoreje por edhe të pragsezonit të ri në përgjithësi, kuqeblutë e Vllaznisë vazhdojnë të stërviten me program të ngjeshur duke aplikuar nga dy seanca në ditë.
Kështu ka ndodhur edhe ditën e martë, kur skuadra shkodrane është parë të stërvitet gjatë orëve të paradites në fushën sportive të Golemit. Në dispozicion të teknikut Migen Memelli kanë qënë të gjithë futbollistët, të cilët përgjithësisht kanë konsumuar ushtrime atletike dhe aerobike, ndërkohë seanca e pasdites i kushtohet kryesisht punës me topin.
Pjesë e skuadrës në seancën e sotme ishte edhe Frank Obando, një sulmues ky nga Ekuadori i cili po kalon disa ditë prove në kampin kuqeblu. 25 vjeçari, 1.86 metra i gjatë, i cili në sezonin e fundit ka luajtur fillimisht me ekipin Nacional de Quito që u shpall kampion në Serinë B të Ekuadorit duke shënuar 8 gola, pretendohet të jetë dubluesi i sulmuesit shkodran Bekim Balaj, u aktivizua edhe në pjesën e dytë të miqësores me Tiranën, ndeshje kjo e luajtur në “Selman Stërmasi” dhe e fituar nga Vllaznia, 0 me 1.
Për stafin teknik të Vllaznisë, do të duhen edhe disa ditë testimi në gjirin e kuqebluve për të vendosur përfundmisht, nëse Obando do të jetë pjesë zyrtare e kuqebluve, apo jo. Dhe, momenti më i mirë për të testuar sulmuesin nga Ekuadori, por edhe pjesë tjetër të skuadrës, është miqësorja e së premtes ndaj Dinamos në “Loro Boriçi”.