Sezoni i ri futbollistik, por edhe ndeshjet europiane të shtatorit e gjejnë Vllazninë të plotësuar në të gjitha drejtimet. 9 futbolliste reja, pjesa më e madhe e të cilave vijnë nga Brazili, janë bërë pjesë e klubit kuqeblu duke blinduar kësisoj Vllazninë në këtë pragsezoni. Prezantimi i tyre, por edhe i stafit të ri teknik është bërë nga vetë presidenti Lazër Matija përmes një konference shtypi dhënë në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”.
Mes të tjerave, presidenti Matija, u shpreh i kënaqur me formatimin e skuadrës, gjë që e bën optimist për realizimin e objektivave që skuadra i ka vënë vetes. Sezonin e kaluar, Vllaznia luajti në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve të Europës, duke qënë mes 16 më të mirave të kontinentit, arritja më e madhe në historinë e futbollit shqiptar.
Ndaj, në këtë këndvështrim, futbollistet kuqeblu, kërkojnë të përsërisin suksesin e vitit të kaluar, pse jo edhe më tej. Por, për të arritur deri atje duhet kaluar turi i parë, ndeshjet e të cilit luhen me datë 6-9 shtator në Shkodër.
Siç është me dije edhe më herët, merkato ka edhe në stafin teknik, ku trajneri Nikolin Leka ka marrë detyrën e drejtorit teknik, ndërkohë që Haris Lika është trajneri i ri i Vllaznisë së femrave.
Në prononcinet e tyre, dyshja Leka-Lika, shprehen gatishmërinë e tyre, që përmes një bashkëpunimi të mirëfilltë mes tyre, të bëjnë më të mirën që skuadra kuqeblu të realizojë objektivat që i ka vënë vetes.
Prezantimet e reja në KFF Vllaznia
Futbollistet:
- Francesca Paige Frericks
- Annelize Comparini Aleixo
- Jehona Coka
- Maria Bashka
- Lia Nogueira da Silva
- Thuany Gomes Fereira Xavier
- Jersia Alves de Macedo
- Ingrid Barbosa de Castro
- Mayllene Correa de Oliveira
Stafi Teknik
Drejtor Teknik: Nikolin Leka
Trajner i parë: Haris Lika
Trajner i portjerëve: Fabiol Rexhepi
(Video) Prononcim i presidentit Lazër Matija, drejtorit teknik Nikolin Leka, trajnerit Haris Lika, si dhe të futbollisteve të reja që kanë firmosur për Vllazninë, mund t’i ndiqni të plotë në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU