Në konferencën për shtyp dhënë 24 orë përpara ndeshjes, trajneri i Vllaznisë Tomas Brdariç tha se shpresonte që të mos ketë reshje shiu ditën e ndeshjes me Laçin. Sepse, sipas tij, prania e reshjeve të shiut ka ndikuar në barazimet që skuadra kuqeblu ka realizuar në dy përballjet e fundit, me Kastriotin në “Loro Boriçi” dhe Partizanin në “Elbasan Arena”.
Dhe, kjo dëshirë e gjermano-kroatit të Vllaznisë është realizuar plotësuar, sepse sot koha në Shkodër është pranverore. Mungesa prej 4-5 ditësh e reshjeve ka bërë që terreni në stadiumin “Loro Boriçi” të jetë ideal për një ndeshjeve futbolli, ose më saktë, ashtu siç e kërkon trajneri dhe futbollistët kuqeblu, të cilët janë të mendimit se me këtë cilësor Vllaznia është e papërmbajtshme.
Kur duhet rreth 60-të minuta nga starti i takimit, Vllaznia-Laçi, skuadra kuqeblu ka lënë kompleksin turistik “Gardenland Resort” në Barbullush, aty ku ka qënë e akomoduar mbrëmjen e së enjtes dhe ka mbërritur në stadium duke zbritur direkt në qilimin e blertë të stadiumit. Siç dallohet qartë edhe nga fotot që shoqërojnë shkrimin, koha është ideale, madje edhe me diell, dhe ajo që pritet tashmë është ora 18.00 për startin e takimit Vllaznia-Laçi, që për vetë pozitat që kanë skuadrat në tabelën e klasifikimit, është konsideruar si ndeshja më e rëndësishme e javës së 18-të të Superiores.