Monday, December 9, 2024

Intervista-Largimi i Mark Kroqit nga drejtimi i SK Vllaznia, mbresat si sportist, trajner dhe drejtues, dalja e parakoshme në pension si ish deputet …

Lexo

Ka qënë ndër figurat më të spikatura të volejbollit shqiptar në vite. Pjesë e Vllaznisë së Shkodrës, por edhe disa skuadrave shqiptare si përforcim në ballafaqimet ndërkombëtare, po kështu lojtar titullar i kombëtares kuqezi, deputet në Parlamentin Shqiptar, trajner i suksesshëm i volejbollit ku do të mbahet mend për rikthimin në Shkodër të titullit kampion pas shumë vitesh mungesë, për të vijuar me suksese të shumta si drejtues i SK Vllaznia. Ky është Mark Kroqi, personazhi i rubrikës “Intervista” në Veriu Sport, gjatë së cilës ai flet për të gjitha, si dhe për vendimin e marrë për largimin e parakohshëm në pension falë favorizimit të ligjit si ish deputet i Parlamentit Shqiptar.

Morët një vendim të parakohshëm për tu larguar nga drejtimi i klubit por edhe nga veprimtaria e punës tuaj shtetërore. Si erdhi kjo ditë?

Normalisht që çdo fillim e ka një fund. E mendova ta ndërpres në një moment që është i përshtatshëm për mua, në fund të fundit i priviligjuar pak edhe nga ligji por gjithsesi kjo është pak e rëndësishme se sa e rëndësishme është puna që është zhvilluar.

Nga ligji që sapo përmënde, ta sqarojmë dhe publikun. Bëhet fjalë për?

Dikur jam marrë me politikë dhe prej statusit të deputetit përfitoj daljen në pension në moshën 60 vjeçare. Siç thashë e rëndësishme është puna, të rëndësishme janë rezultatet që janë arritur për klubin shumësportesh Vllaznia, të rëndësishëm janë sportistat dhe trajnerat tonë të cilët janë kontribues jo vetëm në rang lokal por edhe atë kombëtar. Nuk ka disiplinë sportive dhe federatë sportive që nuk ka të përfshirë sportistat tonë. Kemi kampion Ballkani, kampion Europe ku ato sportistë na kanë bërë të ndihemi mire, jo vetëm ne si klub por edhe sportëdashësit shkodranë kudo që ato ndodhen. Pra e mbylli me një bilanc pozitiv dhe kjo më bën të ndihem mjaft mirë.

8 vite në krye të klubit Vllaznia dhe me një numër rekord suksesesh. Cilin prej tyre veçoni më tepër që ju ka lënë më tepër mbresa?

Të them të drejtën, mbresa më kanë lënë ndeshjet e basketbollit ku Vllaznia u shpall 3-4 herë kampione, mbështetja që i ka dhënë vite me radhë ekipit të basketbollit Sokol Dibra. Por çfarë është më e rëndësishmja ka të bëjë me faktin që sportitët tonë dhuruan klasike të jashtëzakonshme për publikun, për sportëdashësit tonë ku pallati i sportit u mbush plot për vite me radhë. Unë besoj shumë që edhe z. Alban Xhaferi do të vazhdojë me traditën e z. Sokol Dibra në mënyrë që ti dhurojnë në vazhdimësi suksese ekipit dhe çfarë është shumë e rëndësishme,ajo që të përmbushet detyra e sportit që është në funksion të qytetarëve të Shkodrës.

E veçanta e Mark Krroqit si drejtues i klubit Vllaznia ka të bëjë me faktin që ju njëherazi keni drejtuar edhe ekipet e Vllaznisë, madje me volejbolin e meshkujve i rikthyet Vllaznisë trofeun kampion që i mungonte prej shumë e shumë vitesh

Ajo ishte një eksperiencë shumë pozitive, një eksperiencë e mbushur me emocione ku Vllaznia pas sa vitesh u kthye në elitën e volejbollit kombëtar duke i dhuruar Shkodrës titullin të cilës i mungonte prej shumë vitesh. Ishtë një moment që një grup shumë i mirë djemsh, me një punë shumë serioze, me disiplinë të hekurt arritën që ta shpallin volejbollin shkodran kampion.

Ndërkohë shkurtimisht për ecurinë tuaj sportive meqë është momenti juaj. Keni lënë pas një karrierë të jashtëzakonshme si volejbollist i Vllaznisë, i kryeqytetit dhe i ekipit kombëtar. Një karrierë që i keni pasur të gjitha duke pasur parasysh që keni qenë shpeshherë fitues si sportisti dhe volejbollisti më i mirë i Shqipërisë.

Ajo është një kohë e artë, pjesa më e bukur e jetës time ku për vite me radhë ne patëm fatin që të bëjmë pjesë në një plejadë sportistash ku volejbolli i kohëve të kaluara kaloi një fazë shumë cilësore dhe është periudha e viteve 80-90 e cila ishte periudha e zhvillimit të volejbollit shqiptar. Fati im është që kam qenë pjesë e kësaj periudhe bashkë me shokët e mi dhe i dhuruam Shkodrës tre fitore të Kupës së Republikës  dhe emocione të jashtëzakonshme qyterarëve dhe sportëdashësve Shkodranë.

Duke u rikthyer tek procesi i mbylljes së punës tuaj si drejtues i klubit Vllaznia, kush mendoni që do të jetë pasuesi i Mark Krroqit në këtë post?

Nuk kam informacion të saktë por do të dëshiroja që të ishtë një person i cili të jetë nga fusha e sportit sepse duke qenë i kësaj fushe ai do të dijnë ta menaxhojnë më mire, sepse duke mos qënë nga fusha e sportit edhe gabon, bile-bile gabon edhe e rëndë. Por duke u nisë nga dëshira e ime personale që ky person të jetë nga fusha e sportit, dëshiroj që të jetë i tillë. Mandej, problemet e tjera janë menaxheriale dhe vijnë sekondarë në raport me të qënurit sportist.

Keni punuar dhe bashkëpunuar me shumë trajnerë dhe me sportistë të Vllaznisë gjatë kësaj periudhe drejtimi. Cili është mesazhi juaj për grupin dhe kolektiv me të cilin keni punuar?

Kolektivi që kam punuar është jashtëzakonisht i mirë, janë njerëz shumë punëtorë që e dojnë sportin, flasin vetëm për sportin, e jetojnë atë çdo ditë dhe i shërbejnë çdo ditë. Mesazhi im është që Vllaznia duhet të vazhdojë me këtë ritëm. Mendoj që duhet, se ato që e drejtojnë sportin në Shkodër të shohin nga ana e cilësisë tashmë, jo nga ana e masivizimit, sepse në Shkodër po të krijosh kushte më të mira do të ketë dhe rezultate më të mira dhe cilësi më të lartë.

Dhe, së fundmi zoti Kroqi. Me sa dimë, jetoni mes Shqipërisë dhe Amerikës, atje ku një pjesë e familjes tuaj, konkretisht fëmijët tuaj jetojnë atje. Si mendohet të jetë vazhdimësia juaj, në Shkodër apo Amerikë?

Sot Mark Kroqi ban 60 vjeç dhe jeten e ka të lidhur me Shkodrën. Pjesa tjetër është më e thjeshtë, por duke qënë më i lirë nga ana e kohës do të kem mundësi ta menaxhoj më mirë, sepse në fund të fundit, zoti e ka dhënë që të jetohet në grup dhe jo vetëm, sepse po të ishte të jetohet vetem, gjithësecili e zgjidhë problemin e vet. Sigurisht që fëmijët e mi kanë nevojë edhe për prezencen time më të madhe, dhe ky moment është që mua më favorizon për të qënë më afër edhe tyre.

Mark Kroqi, ju falendojmë për intervistën, dhe përfitojmë nga rasti t’ju urojmë 60 vjetorin e lindjes, edhe 100 të tjera, shëndet dhe mbarësi tashmë edhe në vitet e pensionit.

Faleminderit edhe nga ana e juaj, sepse pa prezencen tuaj, pa prezencen e mediave, sukseset e klubit Vllaznia do të kishin mbetë në një hapësirë shumë të ngushtë. Por puna e juaj dhe mbështetja që ju i keni bërë rezultateve të klubit dhe sportistëve tonë të jetë prezent në të gjithë Shqipërinë dhe më gjërë.

CV e pjeshme e Mark Kroqit

Ditëlindja- 27 janar 1961-Shkodër

Aktiviteti në volejboll-Viti 1977 në moshën 16 vjeçare pjesë e Vllaznisë të rritur

Viti 1978-Pjesë e ekipit kombëtar për të vijuar në 10 vite me radhë

Sukseset-Fitimi i 3 Kupa të Republikës në vitet 1985, 1988 dhe 1989

Viti 1989-Volejbollisti më i mirë i kampionatit

Sezoni 2016-2017 Kampion i Shqipërisë si trajner me Vllazninë e meshkujve të rritur,

Drejtor i SK Vllaznia në periudhën 2013-2021

Vlerësimet-Titulli “Mjeshtër Sporti”, “Volejbollisti i shekullit në SK Vllaznia”, Titulli i larte “Mjeshter i Madh”, nga Presidenti i Republikes

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img