Gjithçka është gati për sfidën e madhe të ditës së nesërme mes kombëtares së Kosovës dhe Zvicrës që nis në orën 20:45, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024.
Në konferencë për shtyp u paraqit trajneri Murat Yakin dhe kapiteni i helvetëve, Granit Xhaka. Lojtari me origjinë shqiptare e pranoi se për të është një sfidë speciale ndërsa shtoi se ndjehet si në shtëpi.
“Është një ndeshje e veçatë për mua dhe familjen. Jam i kënaqur që jam këtu dhe pres nesër një ndeshje me shumë emocione”.
Xhaka foli edhe për lojtarët e Kosovës që luajnë për kombëtaret e tjera si Daku dhe Muja. Cila është këshilla juaj për Federatën që të mos largohen më lojtarë? “Është pyetje e vështirë, është pozitive sepse kemi tre apo katër kombëtare. Kemi lojtarë që luajnë për kombëtare të mëdha, por gjithsecili duhet ta vendosë vetë se ku shkon. Është e vështirë ta them unë përgjigjen”.
Marrëdhëniet me Zvicrën dhe Kosovën janë pak ndryshe, a ke bërë ndonjë përgatitje ndryshe nga ndeshjet e tjera? “Ne e njohim mirë Kosovën dhe lojtarët e saj. Trajneri na ka përgatitur njësoj, jemi përgatitur shumë mirë dhe tani duhet të tregojmë veten në fushë”.