Pas mbylljes së fazës së parë të kampionatit për femra, rikthehet këtë fundjavë Kupa e Shqipërisë . Në këtë kompeticion të rëndësishëm do të marrin pjesë 12 ekipet e femrave, ndër to, edhe katër ekipet e reja që i janë shtuar kampionatit këtë sezon: Tirana, Partizani, Lushnja, Skënderbeu. Katër ekipet e para të renditjes, Vllaznia, Apolonia, Tirana dhe Tirana AS do të kalojnë në mënyrë direkte në fazën çerekfinale, ndërsa tetë ekipet e tjera do të luajnë turin paraeliminator, ku do të ndeshen me njëra-tjetrën për të fituar një biletë për në çerekfinale. Ndeshjet do të jenë me sistem eliminimi direkt, sipas shortit të përcaktuar.
Juban Danja Murlani, që vetëm për një pikë më pak në renditje se sa Tirana AS nuk arriti të përfshihej në grupin e katër skuadrave të para që u kualifikuan direkt në turin e parë do të presë në fushën sportive të KF Murlani, ekipin e Bilisht Sportit.
Në Tiranë, Kinostudio do të presë vajzat e Lushnjes. Kryeqytetaset duken si më të favorizuara, përballë një Lushnje që ka arritur vetëm një fitore në 11 javë lojë. Partizani debutues do të ndeshet me skuadrën tjetër shkodrtane, AAS. Ndërsa, Teuta luan në shtëpi med Skënderbeun.
Katër ekipet që do të kualifikohen nga ky tur do të vijojnë rrugëtimin për në çerekfinale, për të vijuar garën edhe me katër skuadrat e kualifikuar direct në turin e dytë, Vllaznia, Apolonia, Tirana dhe Tirana AS.