Në përballjen, Vllaznia-Internacional i Tiranës, takim i fituar nga skuadra kuqeblu me rezultatin e thellë 7 me 0, Kevin Dodaj ishte autor i tre golave. Ndeshja e luajtur në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës ishte e vlefshme për javën e dytë të Superligës së moshave U-19, ndërkohë që talenti kuqeblu Doda në dy ditët e mëparshme, kishte shënuar edhe në dy transfertat radhazi me Bylisin U19 dhe Partizanin U21.
Një start ky fantastik për djaloshin 18 vjeçar nga Puka por që po rritet prej vitesh me shumë sukses në ekipet zinxhir të Akademisë së Futbollit Vllaznia, ndërkohë që është kontigjent edhe i ekipeve kombëtareve të moshave.
Në prononcimin e dhënë për Veriu Sport, Kevin Dodaj, vlerëson punën e mirë si dhe bashkëpunimin e mirëfilltë që ai ka me dy trajnerët e Vllaznisë U19-të, Vioresin Sinani dhe Malvin Macerovi.
Me këtë ritëm të dy javëve të para, Dodaj duket se do të përsërisë suksesin e “Këpucës së Artë”, të cilin e fitoi dy vite më parë me ekipin U17-të.
Falë talentit që disponon, jo vetëm në shërbimin e golave por edhe të një përpunimi të përsosur të topit, Dodaj është thirrur edhe në ekipin e parë të Vllaznisë nga trajneri Migen Memelli. Madje, përpos proçesit stërvitor ka qënë pjesë e protokollit të ndeshjeve zyrtare, por akoma pa marrë minutat e duhura të debutimit në fushën e lojës.
Në objektivin e tij, është që të punojë sa më shunë me qëllim që të bindë teknikun Memelli për t’i besuar uniformën e ekipit të parë, për të cilën ai thotë se po e pret padurim një mundësi të tillë.
E veçanta e Kevin Dodajt është se ndërsa ai luan prej vitesh në Akademinë Vllaznia, babai i tij, ish futbollisti i Tërbunit Rrok Dodaj është president i KF Tërbuni të Pukës, çka do të thotë se në familjen Dodaj flitet vetëm për futbollin.
(Video) Intervistën e plotë me 18 vjeçarin Kevin Dodaj, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE
Gaspër MARKU