Luan si titullar për 65 minuta dhe shënon të dytin në fitoren e Çelsit
Saktësisht një vit pasi kishte shënuar për herë të fundit, Armando Broja është rikthyer të gjejë rrugën e rrjetës, për më tepër duke rezultuar vendimtar për skuadrën e tij dhe duke i dhënë shpresë Çelsit se me kthimin e tij, do të ndihmojë t’i japë fund krizës së blube të Londrës. Hera e fundit që Broja kishte gjetur rrugën e rrjetës ishte më datën 8 tetor 2022, kur shënonte në duelin ndaj Vulverhemptonit, aty ku skuadra e tij triumfonte me rezultatin 3-0.
Dhe thuajse një vit më pas e, për më tepër, pas një mungese thuajse 10-mujore për shkak të një dëmtimi afatgjatë, futbollisti shqiptar ka gjetur sërish rrugën e rrjetës, duke shënuar golin e dytë në fitoren 2-0 që skuadra e tij, Çelsi, arriti në takimin e javës së 7-të të Premier Ligës në fushën e Fulhemit. Shtatlarti kuqezi dha sinjale më herët, teksa e nisi takimin si tilluar, por menjëherë pas Mudrik kishte kaluar blutë në epërsi, ai ka vijuar të dyfishojë shifrat për miqtë me golin e tij të parë këtë sezon.
Ai ka dalë nga loja në minutën e 65-të, duke u zëvendësuar nga Rahim Stërling, për shkak të një dëmtimi, që shpresohet të mos jetë serioz. Paraqitja e tij, përtej këtij shqetësimi për dëmtim, me ndërrimin që mund të ketë qenë edhe masë parandaluese nga ana e trajnerit Poçetino për ta mbrojtur, është një ogur i mirë për Kombëtaren dhe trajneri Silvinjo, në prag të ndeshjes me Republikën Çeke.