Tirana do të luajë nesër në orën 19:00 derbin e kryeqytetit përballë Partizanit në stadiumin “Air Albania”, e prapambetur nga java e gjashtë e kampionatit. Trajneri i Tiranës, Julian Ahmataj ka punuar larg vëmendjes mediatike gjatë ditëve të fundit për të përgatitur skuadrën drejt një përballjeje shumë të rëndësishme, derbin e kryeqytetit.
“Në radhë të parë dua të përgëzoj ekipin Kombëtar për arritjen që ka bërë dhe për kënaqësinë që na ka dhënë në futboll. Jemi krenar për këtë arritje të Kombëtares. Ndërsa derbi është një ndeshje specifike, sepse luajnë dy ekipet më të titulluara në vend dhe dihet rivaliteti. Është një ndeshje për të luftuar dhe për të marrë më të mirën. Kemi disa shqetësime, por besoj se e kemi grupin për të përballuar sfidën.
Derbi në tetor bardheblu? Kjo është ndoshta një shenjë fati. Ne kemi për detyrë ta luajmë derbin dhe pastaj rezultati i ngelet fushës.
Na duhet forma e mirë e organizuar e skuadrës. Jo vetëm forma individuale e çdo lojtari, por forma totale e skuadrës. të jetë koordinimi i duhur për të përballuar një ndeshje futbolli dhe për të bërë më të mirën në fushë”, u shpreh trajneri Ahmataj.