Tuesday, November 26, 2024

Barazim pa gola në derbin kryeqytetas, Partizani dhe Dinamo

Lexo

Takimi i dytë i së hënës, i luajtur në mbrëmje dhe që ishte i vlefshëm për javën e 14-të të Kategorisë Superiore, ishte ai që u luajt në Stadiumin “Arena e Demave” në kryeqytet, midis Partizanit dhe Dinamos. Përballja e dy rivaleve historike ka parë të kuqtë e kryeqytetit të jenë më këmbëngulës në 10 minutat e para dhe Maget në të 4-ën, Taipi në të 6-ën dhe Rrapaj në të 7-ën do ta shënjestrojnë portën e dinamovitëve me goditje nga larg, por gardiani Edmir Sali është në nivelin apo lartësinë e duhur me reagimet e tij instinktive.

Dinamo do të provojë të kundërpërgjigjet me Andonin në minutën e 13-të, por më pas, në gjysmëorën që do të vijojë, loja do të bjerë në kllapi dhe, për rrjedhojë, 45 minutat e para do të mbyllen me rrjeta të paprekura. Ato të dytat janë më të luftuara dhe, pas një pretendimi për 11-metërsh të Partizanit, është Denison që shpërdoron në mënyrë të pabesueshme për Dinamon në të 56-ën, ndërsa në të 64-ën, edhe Lorenco Viola pretendon, pa sukses, për një 11-metërsh, kurse Zabërgja provon me kokë 4 minuta më vonë, ashtu sikundër provon edhe Behiratçe 13 minuta para fundit të kohës së rregullt.

Minutat e fundit dhe ato shtesë do të flasin për të kuqtë, teksa në të 86-ën, Maget godet fort nga larg, me topin që devijohet nga Mensah, por Sali arrin ta ndalë mrekullisht, ndërsa në të 91-tën, Birçaj bën një kthim të rrezikshëm, me topin që përplaset në shtyllën horizontale, ndërsa Mensah provon me një goditje me kokë që shkon jashtë. Mbyllet kështu merr rrjeta të paprekura kjo sfidë midis Partizanit dhe Dinamos, me të kuqtë që ngjiten në krye të renditjes, me 28 pikë, një më tepër sesa Egnatia, ndërsa Dinamo ngjitet në kuotën e 16 pikëve.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img