Wednesday, November 27, 2024

Vllaznia, kërkon pikët e radhës. Fitorja ndaj Teutës ka rritur moralin. Qatip Osmani: 3 pikëshi ndaj Egnatias në transfertë nuk konsiderohet ndonjë befasi

Lexo

Java e 15-të e Abissnet Superiore, nis me një ndeshje interesante. Në stadiumin “Demrozi Stadium” të Rrogozhinës, kryesuesja e tabelës së klasifikimit, Egnatia pret të shtunën në orën 13:30, Vllazninë e Shkodrës. Një çift që në duelet e dy-tre sezoneve të fundit futbollistik, ka folur më shumë për Egnatian. Madje, në këtë sezon, falë formës së mirë që po kalojnë rrogozhinasit dhe nga ana tjetër luhatjeve të shumta që kanë shfaqur kuqeblutë, pritshmëritë janë që Egnatia është favoritë kryesore për ta fituar këtë ndeshje.

Por, ndryshe mendojnë në kampin kuqeblu, pasi fitorja javën e kaluar në transfertë me Teutën e Durrësit, duket se ka sjellë qetësinë e duhur në skuadër duke rritur së tepërmi edhe moralin në radhët e kuqebluve. Kjo është parë qartazi në ditët përgatitore të pragndeshjes me Egnatian, ku një gjë të tillë e pranon edhe vetë tekniku Qatip Osmani.

I ftuar në emisionin Studio Sport-RTSH Shkodra, kreu i pankinës kuqeblu u shpreh i kënaqur që kontigjenti i dëmtuar po i rikthehet dalngadalë normalitetit. Ndër to, ai vlerësoi shumë rikthimin e mbrojtësit Ersin Hakaj, i cili i ka dhënë më tepër forcë dhe siguri prapavijës. Por, ndërkohë, shprehu shqetësimin që Esat Mala, edhe për këtë ndeshje nuk nuk do të jetë i mundur të jetë me skuadrën, ku me të gjitha gjasat për ndeshjen tjetër një gjë e tillë do të realizohet.

Për teknikun kuqeblu, tre pikëshi i marrë me Teutën në transfertë është shumë i rëndësishëm, por nëse nuk pasohet me të tjerë, ai nuk vlen, argument të cilin e ka konsumuar edhe me skuadrën.

E rëndësishme për Osmanin është rritja e dukshme e moralit të futbollistëve, gjë që do ta ndihmojë skuadrën për të dhënë më të mirën në transfertën rrogozhinase. “Ne e vlerësojmë Egnatian, jo vetëm për kryesimin e renditjes, por edhe për nivelin që ka si skuadër, por nga ana tjetër, ekipi i jonë duhet thënë se i ka kualitetet dhe grupin për të kërkuar rezultat pozitiv në këtë ndeshje”, është shprehur tekniku Qatip Osmani duke mos e konsideruar ndonjë befsi, nëse Vllaznia kthehet në Shkodër me tre pikë.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img