Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka është shpallur si një nga personazhet e vitit nga emisioni “Opinion” në Tv Klan që drejtohet nga Blendi Fevziu, i vlerësuar për sukseset në arenën Europiane si Zv.President i UEFA-s dhe punën e mirë të bërë në FSHF me ekipin Kombëtar, që këtë edicion kualifikues arriti sërish një sukses historik, kualifikimi në Europianin “Gjermani 2024” si vendi i parë në Grupin E.
Të përzgjedhur si personazhe të vitit nga emisioni “Opinion” ishin edhe trajneri i ekipit Kombëtar, Silvinjo dhe futbollisti Jasir Asani. Tekniku brazilian i vlerësuar për punën e mirë të bërë me Kombëtaren gjatë edicionit kualifikues, ndërsa Asani i dalluar për paraqitjet dhe golat e tij spektakolar në sezonin debutues me Kombëtaren kuqezi.
Presidenti Duka u shpreh se ndihet i nderuar që është përzgjedhur si personazh i vitit mes shumë figurash që kanë lënë shenjë në fusha të caktuara. Përsa i përket Europianit “Gjermani2024” ai tha se fillimisht të gjithë duhet ta shijojnë suksesin e arritur.
Përsa i përket objektivave në vitit 2024, kreu i futbollit shqiptar bëri thirrje sërish për ligjin e sponsorizimit, që do të ishte një mbështetje shumë e madhe për futbollin dhe sportin në përgjithësi.
Zgjedhja Zv.President i UEFA-s
“Në radhë të parë për mua është vlerësim dhe nder të jem këtu si i vlerësuari i emisionit “Opinion”, aq më shumë mes të gjithë figurave që janë të përzgjedhur si personazhe të vitit.
Është e vërtetë që duhet pak fat në jetë, por duhet edhe shumë punë. Unë besoj se të gjithë kanë punuar shumë. Vajza nuk është shpallur kampione e botës në shah me fat, por ka punuar shumë po ashtu edhe djali që ka dalë kampion noti.
Unë besoj që është rezultat i punës. Në rastin e zgjedhjes si Zv.Presidenti i UEFA-s, është çështje korrektese, pune, raporti, besimi dhe vlerësimi. Nuk është se ka qenë një rrufe në qiell të hapur. Është rezultat i punës këtu, pasi çdo njeri që të mbështet sheh se çfarë ka ndodhur në vendin tënd dhe nëse në vendin tënd nuk ka ndodhur asgjë, asnjë zhvillim dhe nuk ka hapa pozitiv nuk të mbështesin. Padyshim raportet e mira dhe korrektësia në raporte”.
Europiani “Gjermani 2024”
“Ajo që i kam këshilluar të tjerëve është ta shijojmë një herë këtë që kemi arritur sepse kemi nevojë ta shijojmë sepse nuk kemi shijuar shumë gjëra të bukura. Ta shijojmë deri në qershor dhe ta shijojmë edhe pjesëmarrjen atje.
Padyshim që kam shumë besim tek ekipi, siç kam pasur besim që e komentove me skepticizëm, kualifikimin në Europian, kam sërish besim që mund ta kalojmë grupin. Në fakt në një bisede me homologun Italian i thashë që do ta fitojmë ne ndeshjen e parë, por do të takohemi në finale ashtu si Greqia me Portugalinë (qesh)”.
Momenti më emocionues? Ka patur shumë, por ka qenë presioni i madh psikologjik në ndeshjen përballë Armenisë në ‘Elbasan Arena’. Armenët ishin në avantazh 0-1 deri në fundin e ndeshjes, ku ne përmbysëm me Mavrajn dhe Gashin. Nuk ka njeri që e njeh dhe e ndjek sportin e të jetë i qetë në stadium, kështu si gjithë të tjerët edhe unë”.
Objektivat e Vitit 2024
“Objektivi i UEFA-s është që të kemi një kampionat Europian sa më të bukur, të kemi sa më shumë spektator dhe të jetë një kampionat sa më fair-play, që t’i kënaqi sa më shumë spektatorët.
Ajo që doja të thoja në lidhje me sportin në përgjithësi, ne e kemi kërkuar me kohë ta realizojmë një ligj për sponsorizimin e sportit. Në fakt këtë ligj e ka Maqedonia e Veriut, Kosova dhe po ta kemi edhe ne do të zgjedhi ato që tha Gersi, nuk do të duhet t’i drejtohet gjithmonë institucioneve por mund të krijohet një lidhje direkt me biznesin.
Kam besim që do t’ia dalim, por duhet të kemi mirëkuptimin e të gjithë politikës sepse kërkon mirëkuptim majtas dhe djathtas, do ecim shumë përpara në sport. Sporti nuk është vetëm garë, ndër të tjera do të ndihmojë edhe në turizëm dhe buxhetin e shtetit” – theksoi Presidenti Duka.
Zbulimi i Kombëtares – Jasir Asani komentoi edhe njëherë momentin kur është kontaktuar nga stafi i FSHF për të qenë pjesë e Kombëtares kuqezi. Ai theksoi se e ka pritur në çdo moment ftesën dhe vlerësoi kushtet e mira të punës, ku veçoi qendrën stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit” duke e cilësuar si më të mirën në Ballkan.
“Ka qenë dita e premte që më kanë marrë nga stafi që do isha pjesë e Kombëtares. Isha në Kore, 9 orë diferencë përpara atje. Nga gëzimi qava sepse që nga fëmijëria e kam pritur ftesën, që një ditë të luaja me Kombëtaren shqiptare. E kam pasur ftesën (nga Maqedonia) dhe ka 7-8 vite që e kam pritur Kombëtaren. Edhe po të mos kishte ardhur ftesa gjithmonë do e prisja Kombëtaren shqiptare.
Kemi kualitet shumë të madh në ekip. Kemi kompleksin më të mirë në Ballkan. Merita është e të gjithëve sepse jemi grup shumë i fortë dhe duhet të vazhdojmë përpara. Shumë besim kam. Nuk kam frikë asnjë Kombëtare sepse me këta lojtarë që kemi mund të lozim pa pikë problemi me çdo Kombëtare në botë”, – tha Jasir Asani.