Përkundër faktit që ishte aktivizuar si titullar në ndeshjen e para pak ditëve në kuadër të turit të 3-të të Kupës së Anglisë (FA Cup), aty ku kishte bërë një paraqitje bindëse dhe kishte shënuar edhe golin që i hapi rrugën fitores së thellë të Çelsit ndaj Preston North Endit, Armando Broja e ka gjetur veten në stol të martën në mbrëmje.
Trajneri i bluve të Londrës, Mauricio Poçetino, kishte preferuar të mos e kishte në 11-shen e parë shqiptarin në përballjen e parë të gjysmëfinaleve të Kupës së Ligës Angleze, aty ku skuadra e tij u mund 0-1 në fushën e Midëllsboros, me golin e realizuar në pjesën e parë.
Ndërkaq, pas një ore lojë, argjentinasi i stolit të londinezëve e ka futur në fushë sulmuesin kuqezi, i cili në fakt vuajti skemën e përdorur nga Çelsi përballë një mbrojtjeje të ngjeshur të ekipit vendas. Blutë pothuajse nuk u përpoqën ta shfrytëzonin shtatlartësinë e Brojës, i cili sidoqoftë arriti të ndërtonte një rast të volitshëm për shënim, por që nuk u shfrytëzua dot nga shoku i tij i skuadrës, Rahim Stërling.
Çelsi mundur kështu 0-1 në duelin e parë, por, për vetë formulën e Kupës së Ligës Angleze, gjysmëfinalja luhet me sistem vajtje-ardhje, ndaj dhe skuadra e Brojës do të ketë një ndeshje të dytë në “Stemford Bridxh”.