Friday, October 11, 2024

Situata te Vllaznia e volejbollit femra, presidenti Florian Zekja, letër Bashkisë Shkodër: Organizimi i dëgjesave publike për shoqatat sportive, nuk është në kohën dhe mënyrën e duhur!

Lexo

Mesazhi alarmues për situatën kritike që po kalon Vllaznia e volejbollit të femrave, përcjellë në Veriu Sport nga ana e trajneres Nora Deda, e cila duke bërë të ditur se skuadra kuqeblu ka mbetur me vetëm shtatë lojtare, dhe ku nëse nuk do të ketë ndërhyrje nga Bashkia Shkodër paralajmëron për dorëheqje, ka vënë në lëvizje institucionin vendor dhe presidencen e shoqatës Vllaznia. Kjo e fundit, përmes presidentit Florian Zekja, është në mbështetje të trajneres dhe skuadrës kuqeblu, por për kreun e shoqatës, Zekja, organizimi i Bashkisë Shkodër në lidhje me thirrjen për dëgjesa individuale të disiplinave sportive të qytetit të Shkodrës, për rikonfirmimin e kontratës së Shoqëatës me Bashkinë, nuk është në momentin dhe mënyrën e duhur. Për këtë bën fjalë edhe letra që zoti Zekja i ka dërguar  administratës së Bashkisë Shkodër.

………………

Përshëndetje të nderuar anëtarë të administratës së Bashkisë Shkodër!

Ne si Shoqata e Shkodrës Vllaznia Volleyball, e cila ka pasur në administrim të përbashkët ekipin e volejbollit të femrave për periudhën 2021-2023, mirëpresim thirrjen për dëgjesa individuale të disiplinave sportive të qytetit tonë.

Për periudhën kohore që bëhet kjo thirrje, mendojmë se nuk është momenti dhe mënyra e duhur për disa arsye që po rendisim më poshtë:

  1. Ekipi jonë i femrave është në pauzën mes dy fazave të kampionatit dhe konkurrimi në thirrjen e ardhshme nuk garanton fitimin nga Shoqata jonë e kontratës me Bashkinë. Si pasojë mund të ndërpritet projekti jonë ose mund ta marrë në administrim një shoqatë tjetër me një vizion e staf tjetër.
  2. Ne gjendemi në një periudhe merkatoje ku na jepet mundësia për të bërë përforcime për objektivat e vendosur në fillim të kampionatit. Mungesa e kontratës për një periudhë 2-3 mujore bën të pamundur realizimin e përforcimeve e si pasojë daljen jashtë objektivave, në një kohë që ekipet e qyteteve konkurrentë nuk e kanë këtë problem .
  3. Duke qënë se këto janë procedura të mirë përcaktuara në kohë dhe në metodologji që zgjasin deri në 2-3 muaj nga data e thirrjes, mendojmë se afatet e finalizimit të kësaj kontrate janë akoma e larg. Aktualisht jemi akoma tek dëgjesa që pasohet nga përcaktimi i fondeve, shpallja e thirrjes dhe në fund firmosja e kontratës.
  4. Duke qënë një partneritet publik-privat normalisht kërkohet kontributi i aktorëve. Në momentin kur kontributi financiar i njërit partner që është Bashkia Shkodër vonohet me 3 a 4 muaj si pasojë e procedurave ligjore, atëherë menaxhimi i gjithë aktiviteteve bëhet i pamundur.

Duhet të kemi parasysh se duhen përballuar financiarisht shpenzimet për bonot ushqimore(pagat) për lojtarët, organizimin e ndeshjeve kur bëhen në Shkodër apo për transportin e akomodimin në hotele kur luajmë në transfertë, tarifat e federatës, paisja me bazë materiale etj.

  1. Sikur ta marrim të mirqënë se procedurat do shkojnë sipas parashikimeve kohore në rregull, i bie që buxheti nga Bashkia Shkodër fillon të lëvrohet në fund të muajit mars dhe normalisht bëhet i padobishëm sepse me dt 14 prill 2024 mbaron kampionati.
  2. Për mendimin tonë dëgjesa duhej bërë të paktën në muajin nëntor, pra dhe para miratimit të buxhetit të vitit 2024.
  3. Kontrata duhej bërë si herët e tjera në muajt qershor-gusht, pra në momentin kur kanë mbaruar të gjitha aktivitet.

Kërkesa dhe interesi nga ana jonë me drejtorinë e kulturës dhe sportit ka qënë  i hershëm dhe konstant që nga muaji nëntor.

Për fatin tonë të keq nuk kemi marrë përgjigje pozitive dhe shteruese nga drejtuesit e kësaj drejtorie përgjegjegjëse.

Duke renditur disa nga pikat problematike për këtë boshllëk administrativ, mendojmë se interesi për të marrë pjesë në këtë dëgjesë si dhe për të pretenduar vazhdimin e bashkëpunimit me Bashkinë Shkodër për menaxhimin e ekipit të Volejbollit Femra është i pamundur dhe i padobishëm.

Duke ju uruar punë të mbarë , ju falënderojmë për bashkëpunimin e deritanishëm.

Me respekt kryetari i Shoqatës Vllaznia Volleyball

Florian Zekja

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img