Dy ditë më parë, trajnerja e Vllaznisë në volejboll femra, Nora Deda, bëri publik shqetësimin e saj në lidhje me rrezikun që i kanosej ekipit kuqeblu, ku në sajë të largimit të titullareve si dhe pamundësisë financiare për t’i zëvendësuar me lojtare cilësore, skuadra mbeti me vetëm 7 lojtare, mes të cilave edhe volejbolliste 15-16 vjeçare. Në të tilla kushte, Vllaznia e volejbollit femra rrezikon të dalë tërësisht jashtë objektivave për pjesën e dytë të sezonit, por edhe të shpërbëhet fare. Shqetësimi në fjalë u bë pjesë e tifozërisë shkodrane, e cila ka nisur menjëherë lëvizjet për të shpëtuar ekipin kuqeblu.
Në krye të kësaj lëzivje është vënë grupimi i tifozëve “Vllaznia Diasporë”, i cili pasi ka kontaktuar direkt me trajneren Nora Deda, i ka dhënë mbështetjen e duhur në zgjidhjen e këtij problemi.
“Duke pa problematikat e shumta te volleyballi i femnave, kryesisht ato financiare dhe indiferencen e theksume te biznesit por edhe te institucioneve shtetnore perkatse, t’vjen nder mend qe nuk duhet me u prit shefat si me e shkatrru qytetin, por gjanat duhet me i ba vet per njeni-tjetrin .
- (Kujtojme ktu qe ekipi i volejbollit per momentin mir qe nuk asht perforcu por ka mbet vetem me 7 lojtare tu rreziku kshtu edhe pjesmarrjen ne pjesen e mbetun te kampionatiymt.)
Shum djem t’mir t’Shkodres na kan kontaktu n’privat dhe na kan kerku per me dhan kontributin qe minimalisht ti japim mundsin ekipit ta mbyllin sezonin dhe shifra zyrtare qe na asht dhan prej drejtusve t’ekipit asht dikund rreth 10 milion lek t’vjetra. (Shifer qe nuk pretendohet me u arrit plotesisht prej nesh)
- Na s’mundena me ba gjana t’mdhaja , por gjana t’vogla me dashni t’madhe.
Me ken tifoz asht sakrific, gjithkush ka mundsit e veta, minimaliste, ndoshta dikush maksimaliste. Sikur 3 mij vet ka 3 mij lek dhe u ba shifra qe i nevojitet ekipit.
Grupi VLLAZNIA DIASPORË me mundsit e veta modeste ofron 500€.
- Me kyt rast ju bajm thirrje cdo njenit qe ka deshir me ju bashku nismes tone dhe ka deshire me kontribu te kontaktojne njenin prej administratoreve te grupit.
- Kush ndodhet ne Shqipni dhe ka deshire me kontribu mundet me kontaktu me Nikoll Mirashi dhe Asllan Muca.
Cdo donacion, me dorezimin e shumes se mbledhun, ka me u ba publik me emer e mbiemer dhe shuma perkatese (perjashto ktu ata qe dojn me rujt anonimatin)
Kampionati rifillon me date 2 shkurt, ne deri me date 25 janar do te bajme maksimumin e mundshem
Dashnia fillon tuj u kujdes per qytetin tand, Vllaznia asht dashni!!”, shkruhet në postimin e “Vllaznia Diasporë.
Rasti në fjalë është me të vertetë emocionues. Ndodh vetëm në Shkodër një gjë e tillë, aty ku zemra e të gjithëve rreth kuqeblu. Nismëtarët e një lëvizje të tillë, grupimi “VLLAZNIA DIASPORË” duhen përgëzuar në veçanti, dhe së bashku me to, edhe të gjithë ato tifozë shkodranë dhe dashamirës të sportit, në Shqipëri dhe jashtë saj, që po marrin pjesë në kontributin financiar dhe mbështen morale ndaj ekipit të femrave të volejbollit shkodran.
Gaspër MARKU