Pas fitores së thellë në shtëpi, ku mundi me rezultatin 7-3 ekipin e Kinostudios, Basania FC regjistron fitoren e radhës. Këtë herë, trepikëshi arrihet në transfertë ndaj ekipit të Përmetit.
Ndeshja në fjalë u zhvillua mesditën e sotme në fushën e kompleksit sportiv të ekipeve kombëtare Kamzë dhe ishte tërësisht e dominuar nga skuadra bushatase.
Djemtë e drejtuar nga trajneri Fatjon Hasani ushtruan pression në portën kundërshtare që në nisje të takimit, por megjithë rastet e shumta për shënim, pjesa e parë u mbyll në barazpeshë me rrjeta të paprekura.
Ndërkohë, 45 minutëshi i dytë i kësaj ndeshje nis me gol për Basanin. Është minuta e 54-të kur Egzon Shimaj godet saktë në portën përmetare duke e kaluar në avantazh me rezultatin 0 me 1.
Dhjetë minuta nga goli i parë, Basania arrin të shënojë golin e dytë, ku këtë radhë është braziliani Hoffman që tund rrjetën përmetare. 0 me 2 për Basaniam, që tashmë ka qetësinë e duhur për të administruar rezultatin.
Koha shtëse ka edhe një gol tjetër për Basanian, dhe për këtë mendon Egzon Shimaj që shënon në të 92-tën minutë duke vulosur fitoren e merituar të Basanias me rezultatin e pastër, 0-3.
Me këtë fitore të javës së nëntë, Basania shkon në kuotën e 19-të pikëve me 24 gola të shënuar dhe 12 të pësuar duke vijuar të mbajë vendin e parë në tabelën e klasifikimit të Kategorisë së Tretë, grupi A, ndërkohë që pret dy ndeshjet e rivalëve, Prestige dhe Eagles, të cilët ndeshjet e tyre i luajnë të dielën.