Kukësi ka arritur të fitojë ndaj Laçit në shtëpi me rezultatin minimal 1-0, në sfidën e vlefshme për javën e 27-të në Superiore. Pas ndeshjes, trajneri Armando Cungu, i cili ende s’ka shijuar fitoren në pankinën bardhezi, dha prononcimin e tij për MCN TV:
“Erdhëm për fitore, kishim nevojë të dilnim nga një situatë pa fitore. Ishte momenti dhe vendi i duhur për ta bërë. E dinim kundërshtarin që vinte me një motiv të madh pas fitores me Partizanin. Luajtën shumë fort, por episodet sollën këtë rezultat. Matematikë e thjeshtë, nëse nuk shënon, nuk fiton.
Patëm një rast me portë bosh. Kundërshtari ka një rast me krosim, e kthen në zonë dhe ka kohë edhe ta shtyjë në rrjetë. Era ishte e fortë, terreni i keq, por u munduam të zhvillonim një lojë të mirë dhe them se patëm episodet tona. Duhen golat dhe statistikat tregojnë që ka shumë pak kontribut në këtë pjesë.
Kjo është një shterpësi që nga fillimi i sezonit, pak gola nga sulmuesit e mesfushorët. Punojmë në këtë aspekt, por është një situatë që do kohën e vetë, por koha nuk është në dispzicionin tonë. Djemtë kanë një farë ndryshimi në lojë që nga sfida me Egnatian. Një fitore do të na bënte shumë mirë në aspektin psikologjik për të na rikthyer disi qetësinë.
Ujka, Sobovale dhe Cordeiro s’janë në një moment të mirë? Laçin e kam ndjek gjatë gjithë sezonit. Kjo është hera e tretë që kthehem, në kohë të tjera dhe organikë tjetër. Kam parë ndeshje të mira nga ekipi. Për 8 ditë që jam këtu mendoj se Ujka bëri një ndeshje pozitive. Cordeiro ka shpirt gare që ky ekip e ka humbur dhe i duhet shumë. Kjo është penalizim pasi nuk kemi mundësi të tjera dhe një gjendje jo optimale e Sobovale na pengon. Duhet të kontibuojnë të gjithë, jo vetëm qendërsulmuesi. Ky është problemi i këtij Laçi, mos shënimi i golave”, tha Cungu për MCN TV.