Ekipi Kombëtar U-19 i vajzave zhvilloi një seleksionim 1-ditor, ku të ftuara ishin 24 futbolliste të kësaj grupmoshe dhe jo vetëm, të cilat aktivizohen me klubet e kampionatit shqiptar. Ky seleksionim u organizua në ambientet e Shtëpisë së Futbollit nën drejtimin e trajnerit Kreshnik Krepi, si edhe nën praninë e trajnerit të ekipit Kombëtar A, Armir Grima dhe zyrtarëve të tjerë të departamentit të ekipeve kombëtare dhe të futbollit të vajzave në FSHF.
Futbollistet e thirrura në këtë seleksionim i përkasin vitlindjeve 2005-2009. Një pjesë e tyre janë tashmë pjesë e skuadrës, ndërsa futbollistet e reja të thirrura për herë të parë, kanë qenë prej kohësh nën vëzhgimin e Departamentit të Ekipeve Kombëtare në FSHF.
Qëllimi kryesor ishte për të evidentuar sa më shumë elemente të talentuara të kësaj grup-moshe që luajnë në kampionatin shqiptar dhe që mund t’i shërbejnë ekipit Kombëtar U-19, që nis nga java e ardhshme grumbullimin në kuadër të ndeshjeve të raundit të dytë të Kampionatit Europian.
Përveç testeve fizike dhe taktike, në këtë seleksionim u zhvilluan edhe disa ndeshje kontrolli, ku secila vajzë pati mundësi aktivizohej dhe të tregonte vlerat në fushën e blertë. Në këtë mënyrë, edhe trajnerët e pranishëm në këtë seleksionim kishin mundësinë të shikonin nga afër gjendjen e futbollisteve dhe të krijonin ide të qarta mbi këto vajza, për të krijuar grupin e Kombëtares U-19.
Ky grup lojtaresh do të testohet dhe do të mbahet në monitorim në vazhdimësi qoftë nëpërmjet seleksionimeve qoftë edhe në ndeshjet miqësore që do të organizohen në muajt në vazhdim.