Kemi folur shpesh për Pusin. E kemi fjalën për Belajdin, sulmuesin 26 vjeçar, prodhim puro i Vllaznisë që sot luan në Azerbajxhan me uniformën e Turan Tovuz, sepse një Pusi tjetër, Gledjani, qëndërmbrojtësi aktual i Vllaznisë, është pjesë e kuqebluve.
Belajdi, që fillimet i pati në ekipet amatore të zonës së Oblikës, prej nga është origjina e tij, atje ku për trajner pati babain e tij, Ferit Pusi, kaloi shumë shpejt tek Vllaznia duke konsumuar një karrierë të shkëlqyer sportive me ekipet zinxhir ku edhe u shpall kampion, përfshirë edhe ekipet kombëtare të moshave.
Falë të dhënave që kishte, drejtuesit e KF Vllazninë e afruan te skuadra e parë ku edhe luajti si zëvendësues, por që më pas, për mungesë hapësire iu përgjigj pozitivisht ftesës së Skënderbeut ku dha një kontribut shumë të madh.
Dhe, erdhi momenti, që ashtu si edhe futbollistë të tjerë, edhe për Belajdi Pusin, të kishte një përvojë të re jashtë vendit, ku destinacioni ishte Azerbajxhani duke luajtur për skuadrën Turan Tovuz. Pesë golat e tij në këtë sezon me ngjyrat e kësaj skuadre e kanë bërë shumë të vlerësuar për skuadrën e tij, por edhe për publikun, i cili nuk ia kursen duartrokitjet. Kështu ndodhi edhe mbrëmjen e së shtunës, kur Belajdi Pusi ngriti peshën një stadium të tërë me atë gol të shënuar në minutën e katërt shtesë të krejt ndeshjes që i dha fitoren skuadrës së tij.
Për të mos shkuar shumë gjatë, ndoshta është me vend një pyetje për tifozërinë kuqeblu, por në tërësi edhe për njerëzit e sportit, drejtuesit e KF Vllaznia, stafin teknik, specialistë e veteranë të futbollit, që duke parë këtë gol të fundit, por edhe të tjerët e mëparshëm, a ka ardhë momenti që këtij 26 vjeçari, t’i jepet mundësia e rikthimit në Shkodër për të vijuar karrieren sportive me Vllazninë ku u rrit si futbollist?
(Video) Goli i fitores i shënuar nga Belajdi Pusi në ndeshjen e fundit për ekipin e tij, Turan Tovuz ndaj ekipit Gabala FC.
Gaspër MARKU