Trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti ka folur për mediat në prag të derbit kundër Partizanit, që do të luhet nesër në orën 18:00 në “Arenën e Demave”. Tekniku thekson se nuk ka favoritë në ndeshje derbi dhe se do të preferonte të luante në “Air Albania”.
“Derbi është i paparashikueshëm. Ka emocione të veçanta dhe këtu luan një rol të veçantë dhe aspekti psikologjik sesi lojtarët do të menaxhojnë këto 90 minuta dhe mënyrës si do ta përgatisin. Pavarësisht se unë kam qenë pjesë e Partizanit, normalisht klubi ka ndryshuar shumë formë por edhe sidomos përsa i përket organikës. Ka një organikë të pasur me lojtarë mjaft cilësor dhe ka një skuadër shumë të mirë si në aspektin individual por edhe në të gjitha repartet.
Për të qenë i sinqertë do të më pëlqente ta zhvilloja ndeshjen në “Air Albania” për vetë faktin se fusha e stadiumit Partizani është sintetike dhe besoj se nuk do të ishte mirë për të dyja skuadrat. Jemi në një pikë kampionati që për të dyja skuadrat mund të kemi frikën që mund të na dëmtohet lojtarët jo vetëm për ekipin tim por edhe për Partizanin.
Unë e kam marrë skuadrën në pozita të vështira. Kishim një marrëveshje me presidentin që skuadra të jetë në Superiore. Ne kemi arritur një mini objektiv që është rënia direkt, ndërsa tani duhet të evitojmë Play-Out-in dhe këtu objektivi dhe kontrata ime ka përfunduar. Do të jetë plus për ne nëse arrijmë më tepër”, ka thënë mes të tjerash Mehmeti.