Atletika shkodrane vazhdon të jetë absolute me të gjitha grupmoshat, përfshirë edhe ekipin e parë. Pasi u shpall kampion me kategorinë e moshave U14 dhe U16, Vllaznia bëri të njëjtën gjë edhe me ekipin e kategorisë U18.
Në klasifikimin ekipor, Vllaznia e drejtuar nga kryetrajneri Albert Marashi dhe kolegët e tij Dorjan Tafa, Bruno Rrotani dhe Jetmir Jahaj u shpall Kampion i Shqipërisë për vitin 2024 duke grumbulluar 144 pikë.
Në garat e Kampionatit Kombëtar për moshën U18 të zhvilluara në Elbasan, krahas trofeut të ekipit kampion, nga gjiri i Vllaznisë dolën edhe dhjetë kampionë kombëtar individual.
Në vrapimin 100 metër dhe 200 metër kampion u shpall Renis Jasini. Në 110 metër me pengesa Sidrit Kopliku, i cili meritoi vendin e parë dhe titullin kampion edhe në garën 400 metër.
Në Kërcim së larti, Kërcim së gjati kampion individual u shpallën Andrea Nenshati, Elizeo Spathari dhe Mario Cepi. Ky i fundit, Mario Cepi u shpall kampion edhe në garën Kërcim Trehapësh.
Një figurë shumë të mirë bënë atletët 18 vjeçarë të Vllaznisë edhe në garat e stafetës, 4×100 metër dhe 4×400 metër ku merituan vendin e parë. Në të parën, atë të 4×100 metër, në stafetë ishin Sidrit Kopliku, Renis Jasini, Elizeo Spathari, Mario Cepi, ndërsa në të dytën, 4×400 metër pjesëtarë të Vllaznisë ishin atletët: Sidrit Kopliku, Mario Cepi, Dejan Balla dhe Idlir Hoxha.
Pas fitimit të tre titujve kampion me grupmoshat U14, U16 dhe U18, Vllaznia është gati të triumfojë edhe në konkurimin e të rriturve, ku ekipi kuqeblu është kampion për 15 vite me radhë duke vijuar në traditën disa vjeçare të këtij klubi, prej të cilit kanë dalë emra të mëdhenj të këtij sporti në rang kombëtar dhe ndërkombëtar.
(Video) Pamje nga garat e Kampionatit Kombëtar të atletikës U18. Vllaznia kampione si ekip