Thursday, November 28, 2024

Pikantet e Egnatia-Vllaznia/ Sherri ngatërron dhomën, panik për Zejnullain! Pëllumba kuqeblu lëshohen në tribunë, Aleksin e lagin, ja çfarë nuk u pa në TV

Lexo

Mbrëmja e së dielës rezervoi gjysmëfinalen e dytë të fazës “Final 4” mes Egnatias dhe Vllaznisë.

Në ndryshim nga Partizani-Skënderbeu, që mblodhi 4200 tifozë, dje në “Air Albania” pati rreth 6100 të tillë, nga ku rreth 80 % e tyre ishin nga Shkodra. “Panorama Sport” ju sjell momentet më pikante të ndeshjes që përfundoi në barazim, por që u shkoi përshtat rrogozhinasve dhe dogji Vllazninë prej rregullores.

* Fonia në “Air Albania” nuk ishte në ditë të mirë. Kur filluan të lexoheshin emrat e lojtarëve, zëri kishte shkëputje dhe një zhurmë që të “vriste veshin”. Edhe pas disa tentativash, sërish nuk u dëgjuan emrat e titullarëve. Përpara se të niste loja, personi që lexonte emrat u detyrua t’i thoshte edhe njëherë nga fillimi formacionet.

* Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, ishte ulur pranë presidentit të Vllaznisë, Alban Xhaferi. E njëjta gjë edhe me kryebashkiakun e Rrogozhinës, Edison Memolla, i cili qëndronte pranë kreut të klubit të Egnatias, Agim Demrozi.

* Asnjë prej ekipeve nuk zgjedh të luajë me fanellën e parë. Egnatia shfaqet me të bardhën, ndërsa Vllaznia me të zezën.

* Një kapsollë shumë e fortë shpërthen pas portës së Alen Sherrit. Loja ndalon dhe mjeku kontrollon portierin në sy, pasi ishte shumë afër me vendin e shpërthimit. Pas disa minutave, portieri është gati për të vazhduar lojën.

* Vllaznia ngre në nxehje direkt disa lojtarë, pasi Krymi merr një goditje në kokë. Pritej që mesfushori të vazhdonte lojën dhe ashtu ndodhi, por kjo ndodhi pas disa minutash jashtë fushe.

* Në tribunën kryesore nuk munguan as drejtuesit e Tiranës, me në krye Halilin, por edhe disa lojtarë të Partizanit.

* I pranishëm në stadium ishte edhe ish-drejtori i Partizanit, Elton Marini, i cili shoqërohej nga shefi i skautingut të Leçes, si dhe trajneri i Kukësit, Bledar Devolli.

* Një moment i bukur gjatë fillimit të ndeshjes, ku disa pëllumba me një flamur të vogël të Vllaznisë lëshohen në ajër dhe marrin ovacione nga tifozët.

* Zv.trajneri i Egnatias, Ndriçim Shtubina, po shoqëronte Krymin në momentin e dëmtimit dhe kalon pas portës ku ishin tifozë të Egnatias. Këta të fundit e duartrokitën, pasi më parë ka qenë lojtar dhe drejtor te ekipi rrogozhinas.

* Portieri shkodran i Egnatias, Alen Sherri merr vërshëllima nga tifozët e Vllaznisë sa herë prek topin.

* Geralb Smajli vendos një fashë te dhëmbët, pasi merr një goditje me bërryl në minutën e 24-t.

* Të dy trajnerët qëndruan në këmbë dhe shumë aktivë. Ata gjejnë momentin e duhur për të dhënë udhëzime, pasi VAR-i hyn në lojë te goli i Egnatias dhe ka pauzë.

* Mbrojtësi i majtë i Vllaznisë, Esin Hakaj, i bërtet një moment portierit Qarri, i cili duhet ta pasonte në drejtimin tjetër topin.

* Millosh Stojanoviç i Vllaznisë vendos të ekzekutojë një goditje dënimi. Pa dashje e lëviz topin dhe sulmuesi i Egnatias, Montenegro, i shkon me shpejtësi. Mbrojtësi në panik e prek sërish për ta larguar në anësore, por Xhaja akordon faull, sepse e prek topin dy herë.

* Anësori Denis Rexha ka një problem me kufjen në minutën e 33-të. Hamiti, i cili është gjyqtari i katërt, i vjen në ndihmë dhe gjithçka zgjidhet.

* Albano Aleksi kapet në një moment me Bekim Balajn. Xhaja ndalon lojën dhe i këshillon. Nuk mungojnë sharjet për mesfushorin e Egnatias. Në pushim Aleksi i kërkon delegatit të ndeshjes, Marjus Sulejmani, që të flasë me Xhajën. “Futu brenda”, i drejtohet delegati lojtarit. Në këtë moment Aleksi laget me ujë nga disa tifozë.

* Malota shtrihet dhe Aleksi shkon ta ndihmojë, duke i mbajtur këmbën lart. “Por, nuk është nevoja”, i përgjigjet kapiteni i Egnatias.

* Vonohet zëvendësimi te Vllaznia. Lojtarët çuditen në një moment dhe shohin nga stoli se po luanin me një lojtar më pak. Pas disa minutave hyn në fushë dyshja Ajdareviç dhe Gomesh.

* Spahiu në nxehmje për shumë minuta. Shikon shpesh nga Tetova, por asnjë sinjal, derisa i vjen momenti 12 minuta nga fundi.

* Esat Mala shfaqet nervoz në minutën e 68-të dhe shpërthen kundër shokëve.

* Momente paniku u regjistruan në minutën e 90- të. Mesfushori i skuadrës rrogozhinase, Arbin Zejnullai, u rrëzua keq në fushë, pas një dueli me Stojanoviç. Të dyja stafet mjekësore u futën me shpejtësi për t’i dhënë ndihmën futbollistit, teksa për një moment u kërkua që në fushë të futej edhe ambulanca. Për fat të mirë, Zejnullai u përmend, duke u ngritur në këmbë, teksa u largua vetë nga fusha. Në stadium pati duartrokitje për lojtarin dhe një qetësim për të gjithë.

* Vërshëllima e fundit e arbitrit për ndeshjen që zgjati gati 100 minuta solli festë te rrogozhinasit. Presidenti i Egnatias, Agim Demrozi, zbriti në fushë dhe lojtarët nisën të festonin me tifozët. Nga ana tjetër, zhgënjimi pushtoi shkodranët, të cilët shtrihen në fushë. Pas ndeshjes shihet presidenti Alban Xhaferi, i cili largohet i mërzitur nga stadiumi.

* Një episod qesharak ndodhi në fund, kur futbollistët hyjnë në dhomat e zhveshjes. Portieri i Egnatias, Alen Sherri ngatërron dhomën dhe drejtohet nga ajo e Vllaznisë. Sapo hap derën, portieri kujtohet dhe kthehet mbrapa.

Kristi  SEJATLLARI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img