Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër ka ndërmarrë një tjetër nismë sociale, duke çuar futbollin edhe në Institutin e të Miturve në Kavajë, me synimin për të krijuar më shumë mundësi për zhvillimin e aktiviteteve sportive dhe edukative.
Në kuadër të kësaj nisme, përfaqësues të Shoqatës kanë vizituar institucionin dhe kanë dhuruar një sasi topash futbolli, për t’u mundësuar të miturve zhvillimin e aktiviteteve sportive brenda ambienteve të institucionit.
Kjo vizitë shënon fazën e parë të një bashkëpunimi që synon të vijojë edhe në të ardhmen, përmes organizimit të ndeshjeve miqësore mes ekipeve të Shoqatës Rajonale të Futbollit Shkodër dhe skuadrave të përbëra nga të miturit e institucionit.
Përmes këtyre aktiviteteve, futbolli synon të shërbejë si një mjet edukimi, komunikimi dhe integrimi, duke përcjellë vlera të rëndësishme si respekti, disiplina, solidariteti dhe loja e ndershme.
Kjo nismë është një tjetër dëshmi e rolit të futbollit përtej fushës së lojës, si një instrument që krijon mundësi, nxit përfshirjen sociale dhe kontribuon në edukimin dhe riintegrimin e të rinjve në shoqëri.


