Quhet Esat Zogaj, është 81 vjeçar, një ish atlet i distancave të gjata që pasionin për atletiken e ushtron edhe tani. Në Shkodër e njohin mjaft mirë, pasi çdo ditë bën ritualin e tij të zakonshëm duke vrapuar 20 deri në 30 kilometra në natyrë drejt pikave drejt pikave turitike të Shkodrës, si kalaja Rozafa, Shiroka, Mali i Taraboshit, Zogaj, Ura e Mesit, etj. Më herët, në rininë e tij ka qënë pjesë e ekipit të Vllaznisë në atletikë konkurues në disiplinën e vrapimeve të mesme dhe të gjata duke fituar tituj kampion, gjë të cilën e bëri edhe më pas në kampionatet e veteranëve të atletikës në Shqipëri, por edhe në aktivitetet ndërkombëtare, Ballkaniada, Europiane e më tej. Të marrurit me sport i ka dhënë edhe shëndetin e mirë, gjë që është reflektuar edhe në këto ditë problematike të virusit, ku sipas tij ka rezistencën e duhur për të mposhtur Covid 19. Pasionin dhe vullnetin që ai ka për sportin, dëshiron t’ia përcjellë edhe brezit të ri, ndaj të cilëve ka mesazhe të drejtpërdrejta për t’u ushtruar sa më shumë me sport, sepse një gjë e tillë është vetem në shëmbim të shëndetit të tyre. Kërkesës së Veriu Sport për një intervistë, veteran Esat Zogaj iu përgjigj me kënaqësi.
Zotni Esat, mbi 81 vjeç dhe akoma vazhdoni të vraponi me dhjetëra kilometra në ditë drejt pikave turistike të Shkodrës. Sa të vështirë e keni të vraponi kaq shumë në këtë moshë të thyer që jeni ju?
Me stërvitje dhe vullnet bëhet çdo gjë. E dua shumë sportin, e kam dashur gjithmonë, e kam në gjak.
Kur janë fillimet e tua me atletikën dhe kush ka qenë trajneri juaj i parë?
Kam qënë në moshën 7 vjeçare kur e fillova atletiken me professor Fet Dizdarin duke pasur në ekip Ferid Balen, Pal Mirashin, Dhimitër Banushin, ndërkohë që më pas kanë ardhë edhe të tjerë në ekip..
Ju keni spikatur që në fillim të karrieres për garat e gjata dhe të maratonës. Pse në këto garë, dhe jo në ndonjë garë shpejtësie?
Kjo ka ardhë më shumë sepse trajnerët kanë dalluar tek unë se kam pasë rezestencë, gjë që i përshtatej më shumë garave të gjata. Ndaj, edhe garat e mija më të shumta janë në maratonë 10 dhe 20 km, por edhe më të gjata.
Kujtoni ndonjë garë që ju ka mbetë më shumë në mendje?
Gara e zhvilluar në qytetin e Korçës në distancën 1500 metër mendoj se ka qënë disi e veçantë për mua. Aty, unë u rendita në vendin e parë ku pata një kokurencë të madhe me rivalët Musa Peqini, Hasan Dinja, Xhevit Abazi, etj. Një tjetër kujtim i bukur është ai i nëntorit të vitit 1965 kur në garat e Kampionatit Kombëtar të Maratonës, Vllaznia shpallet shpallet kampione kombëtare si ekip duke pasur në formacion emrat e atletëve Dashamir Sherja, Esat Zogaj, Zeko Karemanovi.
Sa zgjati karriera e juaj sportive si sportist aktiv në ekipin e Vllaznisë?
Sportin e atletikes si sportist e ka ushtruar në rreth 20 vite karrierë. Kam qenë rreth moshës 28 vjeçare kur e kam lënë sportin duke lënë pas kujtime shumë të bukura.
Më pas keni vijuar të aktivizoheni në Shoqatën e Veteranëve të Atletikes duke qënë pjesëmarrës në kampionate kombëtare dhe ndërkombëtare.
Po, jam aktivizuar në shumë gara të tillë, ku në maratonë kamë zënë disa herë vendin e parë duke u shpallur kampion, ndërsa disa herë të tjera jamë renditur edhe në vendet të dyta, përfshirë edhe garan e 400 metrave.
Për komunitetin shkodran ju jeni shumë i njohur Esat, pasi prej vitesh shikoheni të vraponi në natyrë dhe në distanca të gjata rreth 20-30 km. Prej sa vitesh e ushtroni këtë passion, dhe a keni vështirësi në këtë drejtim?
Sot jam 81 vjeç dhe akoma vazhdoj të vrapoj. Shkoj në vende të ndryshmë si Shirokë, Zogaj, Malin e Taraboshit, Zogaj, Ura e Mesit, madje dhe në Koplik ka raste që shkoj. Pas çdo vrapimi e ndiej veten shumë më mire, nuk kam aspak lodhje. Më bën shumë mirë për shëndetin, nuk kam marrje fryme dhe e ndjej vetem shumë të freskët.
Me situatën e pandemisë, Covid 19 që ka shkaktuar probleme të shumta në mbarë botën, dhe po ashtu edhe në Shqipëri dhe Shkodër, a keni pasur ndonjë problem?
Jo, me thënë të drejtën, nuk kam pasur aspak shqetësime të kësaj natyre. Duket se edhe këtu sporti ka bërë punën e tij për mirë duke më bërë rezistent ndaj infektimit me Covid.
Jeni në një moshë mbi 81-të vjeçare, a do të vazhdoni përsëri pasionin tuaj me vrapimet në natyrë?
Patjetër, tashti në fundin e marsit dhe vazhdim që do të hapet koha, do të rikthehem përsëri me vrapime në natyre, kryesisht drejt pikave turistike përrreth qytetit. Por, ndërkohë, po përgatitem edhe për garat e Kampionatit Kombëtar të veteranëve të atletikës, si dhe ato ndërkombëtare, të cilat shpresojmë të zhvillohen me rikthimin e normalitetit të pandemisë.
Cili është mesazhi juaj për brezin e ri, të cilët duhet të marrin shembull nga ju që në këtë moshë jeni kaq aktiv me sportin?
Ne brezi jonë i vjetër kemi vullnet dhe passion për të ushtruar sportin amator, vullneti është gjithçka, ndaj i rekomandoj brezit të ri të jenë sa më pranë sportit, të mos qëndrojnë tërë kohën në me telefon në dorë dhe kompjuter, por të aplikojnë sa më shumë vrapimeve në natyrë, pasi është në dobi të shëndetit të tyre. I rekomandoj pridërit që fëmijët e tyre t’i ofrojnë pranë sportit. Që nga mosha 7-8 vjeçare fëmijët duhet të fillojnë stërvitjen dhe të mos shkëputen. Gjatë kësaj moshe ato mësohen me rezistencë, teknikat e sportit dhe kështu bëhen atletë dhe futbollistë të mirë.
Gaspër MARKU